Presidenti i FSHF-së, Armando Duka tha se entuziazmi për fitoren ndaj polakëve duhet të mbyllet me një kualifikim në finalet e kampionatit të ardhshëm evropian.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar nënvizoi se kjo skuadër ka arritur këto rezultate falë punës, talentit dhe sigurisht, edhe stafit të trajnerëve, me në krye Silvinjon.
Presidenti Duka falënderoi edhe tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme që i japin Kombëtares, ndërsa bëri thirrje që të vijnë në stadium për t’u kënaqur dhe të shmangin incidentet.
Duka ka folur edhe për shitjen e biletave për ndeshjen me Çekinë.
Duka ka njoftuar se këtë javë nis shitja e biletave për ndeshjen e 12 tetorit në Tiranë.
“Ndeshjet e Kombëtares në stadium dhe tifozët – Shqiptarët e ndjekin dhe e mbështesin Kombëtaren në stadium. Kemi pasur stadium plot në ndeshjen kundër Moldavisë, ashtu sikurse kundër Polonisë. Tani fillon edhe një dhimbje koke se kush do të sigurojë një biletë për ndeshjen kundër Çekisë më 12 tetor. Shqiptarët vërtetë e mbështesin dhe e shohin si argëtim dhe kontribut për ekipin kombëtar. Dua të përsëris se në fund të fundit duhet të respektojmë njëri-tjetrin sepse jo të gjithë duam të kemi flakadanë, jo të gjithë duam të kemi tymuese në futboll, por duam të shohim futboll dhe një ambient etik dhe të edukuar” ka thënë Duka për “Euronews Albania”.