Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Dumoshi ka thënë largimi i Vjosa Osmanit nuk e dëmton këtë parti.
Dumoshi tha se LDK-ja është më shumë se një emër dhe mbiemër, madje sipas saj, kur kushdo qoftë i bashkohet një partie tjetër mund të konsiderohet edhe si trup i huaj, atje ku aderon.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është më e madhe se një emër dhe mbiemër, sigurisht që Vjosa Osmani ka qenë pjesë e LDK-së, ka qenë ish-kandidate edhe për kryeministre ku partia ia ka ofruar dhe të gjithë e kemi mbështetur, por zgjedhjet janë shumë personale dhe rrugëtimet munden të ndahen edhe gjatë rrugës”, tha ajo në një intervistë.
“Unë them se nuk e dëmton Lidhje Demokratike të Kosovës sepse LDK-së është me e madhe se një emër dhe mbiemër, prej secilit prej nesh”.
“Besoj që shtëpia jonë është e jotja. I presim rezultatet, por zakonisht kur shkon në një parti tjetër je si një trup i huaj. I dëshiroj të gjithë kandidatëve padallim suksese”.
Dumoshi pret që LDK-ja me 14 shkurt ta festojë fitore në zgjedhjet e parakohshme, ngase sipas saj, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, nuk ka pasur asnjë skandal, raporton EO.
“Uroj që të kemi zgjedhje të drejta dhe ta kalojmë këtë proces sa më mirë dhe të jemi një shembull për Kosovën. Besoj dhe uroj që me 14 shkurt do ta festojmë fitoren tonë. E them me shumë ngulm sepse kemi një kandidat për kryeministër i cili edhe në këtë kohë shumë sfiduese të cilën e morëm qeverisjen ka ditur më së miri ta menaxhoj pjesën vitale e cila është pjesa shëndetësore”.
“Kështu që edhe politikat tjera si atë të jashtme, brendshme. Dhe është një Qeveri që s’ka pasur asnjë skandal gjatë kësaj periudhe”.