Federata e Futbollit të Kosovës është duke dështuar në prurjet e reja në ekipin A të Përfaqësueses së Kosovës. Në dy vitet e fundit janë dhënë premtime e deklarata të pa shumta se futbollistët shqiptarë nga Kosova që përfaqësojnë shtete të ndryshme evropiane i kanë thënë “PO” Kosovës, shkruan Insporti.com.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në paraqitjet e tij në medie të ndryshme ka premtuar për ardhjen e dy futbollistëve më me zë, siç janë Andi Zeqiri dhe Bastien Toma.
Ademi më dhjetë gusht të vitit 2020, në transmetim direkt në televizionin “Kanal 10” ka deklaruar se Bastien Toma ka pranuar të veshë fanellën e Kosovës.
Ai këtë e kishte thënë si një lloj respekti për televizionin, i cili po në atë ditë kishte filluar punën.
Ndërsa, çështja e Andi Zeqirit ka shkuar edhe më larg se sa deklaratat.
Ademi dhe Zeqiri janë të fotografuar me fanellën e Kosovës, ku ky i fundit shihet me numrin nëntë të veshur.
Megjithatë, asnjëri nga këta dy futbollistë nuk kanë vendosur të luajnë për Kosovën.
Tashmë, Zeqiri ka debutuar për Kombëtaren A të Zvicrës ditë më parë.
Bastien Toma disa herë ka demantuar FFK-në dhe sot është publikuar edhe deklarata e tij e fundit dhënë për mediet zviceriane.
“Vendimi nuk është marrë ende. Akoma jo. Kam pasur bisedime të shumta me Kosovën së fundmi. Por ende dua të luaj për kombëtaren e Zvicrës. Në fund do të jetë zgjedhje me zemër. Më takon mua të vendos dhe jo menaxherëve apo familjes sime, sepse do të jem unë vetëm në fushë ai që do t’i mbrojë ngjyrat e njërit prej këtyre kombeve. Por tani për tani, siç kam thënë më herët, më rëndësi është ta meritoj një vend në Genk”, tha Toma për radion zvicerane Rhone.
I pyetur përsëri se kë do ta zgjidhte, Toma këmbënguli: “Siç e thashë, është zgjedhje e koklavitur. Nëse më thërret ekipi i Zvicrës, do të jetë kulmi. Unë kam luajtur për kategoritë e ndryshme të Zvicrës që prej moshës shumë të re”.
Dështimet e FFK-së në prurjet e reja ka filluar të krijojë pa kënaqësi të madhe te tifozët e Kosovës, të cilët kërkojnë që të punohet më shumë në këtë drejtim dhe të mos ftohen futbollistë që janë në “perëndim” të karrierës.
Toma në nivelin e klubeve, luan te gjiganti belg, Genk, ndërsa Zeqiri është në pronësi të klubit anglez që bën gara në Premier Ligën Angleze, Brighton, por që në këtë sezon është huazuar në Bundesligë te klubi i Augsburg.