×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dy eksperte mjeko-ligjore po dëshmojnë në të njëjtën kohë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Insajderi
    21 August 2023 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës janë duke dhënë dëshminë e tyre dy eksperte mjeko-ligjore në të njëjtën kohë, Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra.

    Të njëjtat punojnë në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut dhe Vlerësim Mjekësor (IMO) dhe janë duke dëshmuar për dëmin fizik dhe psiqik që ka pësuar njëra nga viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paraprakisht, mbrojtësi i viktimave Simon Laws ka pyetur të njëjtat për kualifikimet dhe përvojën e tyre. Është thënë se ekspertja Parra ka studiuar mjekësinë dhe ka specializuar për psikiatri dhe se profesionin e psikiatres e ka ushtruar në tri fusha nga 2013 e tutje.

    Ajo tha se nga tetori i vitit 2020 është pjesë e IMO-s, në të cilin institut bëjnë vlerësime mjeko-ligjore të viktimave të pretenduara të torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor.

    Ekspertja tha se ka trajtuar me qindra persona që kanë vuajtur nga trauma si dhe pohoi se ka qenë bashkë-autore e një raporti tjetër që është paraqitur para këtij trupi gjykues.

    Kurse, u tha se ekspertja Prinsen ka studiuar psikologjinë zhvillimore dhe se nga viti 2003 ka punuar në këtë fushë, ndërsa nga viti 2015 është pjesë e IMO-s.

    Edhe kjo eksperte tha se ka trajtuar me qindra viktima të pretenduara të torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor dhe se e njëjta bën vlerësime mjeko-ligjore, rishikon raportet e kolegëve dhe bën hetime të përbashkëta me ta.

    Gjithashtu, tha se ka qenë bashkë-autore e raportit tjetër që është paraqitur para këtij trupi gjykues.

    Më tej, ekspertes Parra iu kërkuar të bëjë përmbledhje të protokollit të Stambollit, e që tha se është botuar nga OKB-ja për herë të parë më 2001 dhe është rishikuar disa herë e që, versioni më i ri është i 2022-ës.

    “Ne përdorim këtë protokoll sepse në të janë standardet ndërkombëtare për hetim dhe vlerësim kur trajtohen viktimat e pretenduara të torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor”, tha ajo.

    Po ashtu, ato thanë se iu është kërkuar të bëjnë një raport për këtë çështje gjyqësore, duke ekzaminuar një person në përputhje me këtë protokoll.

    Më tej, për shkak të ndjeshmërisë së rastit seanca kohë pas kohë ka kaluar në seancë private.

    Ekspertja Prinsen ka sqaruar se simptomat më të zakonshme të torturës dhe ndalimit arbitrar janë shmangia e ngjarjeve të tilla, ndjenja e fajësisë dhe e turpit, zymtësi, shkëputje nga realiteti dhe se mendojnë vetëm se çfarë iu ndodhur si dhe çrregullimi i stresit pas-traumatik, janë të lidhura me pasojat e torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

    Seanca po vazhdon në sesion privat.

    Seanca e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar me paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

    Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se mbrojtësi i viktimave Simon Laws më 24 korrik ka kërkuar që dy ekspertët që kanë përgatitur raportin të dëshmojnë në të njëjtën kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kjo me arsyetimin që ata të japin mendimet e tyre dhe të plotësojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe sipas tyre kjo është në përputhje me rregullat për përgatitje tilla.

    Andaj, e njëjta kërkesë është miratuar nga trupi gjykues dhe seanca do të vazhdojë në seancë publike me dëgjimin e dy ekspertëve pa masa mbrojtëse.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark