×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dy herë kryeministër, dy herë i penguar nga gjykatat e Hagës

    Insajderi
    10 February 2021 - 20:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Nuk e çoj shtetin tim para prokurorëve të Hagës” – janë fjalët e famshme të Ramush Haradinajt pas dorëheqjes nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    Dy herë u bë kryeministër i Kosovës Ramush Haradinaj, por që të dyja herat u detyrua që të bie për të njëjtat arsye. Haga ishte në rrugën e Haradinajt si në vitin 2005, kur dha dorëheqje tre muaj pasi ishte zgjedhur për herë të parë kryeministër i Kosovës, si në vitin 2018 kur e dha dorëheqjen pas një thirrjeje nga Gjykata Speciale.

    Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka larë hesapet e tij me drejtësinë ndërkombëtare, ndonëse këto procese ia morën më shumë se 4 vite jetë të tij. Ai ishte prej të parëve që u ftua nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Haradinaj, menjëherë, për të mos ia ngarkuar akuzat shtetit të Kosovës, kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme.

    “Sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryeministrit. Këtë dorëheqje ua kam shprehë kryetarit të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa unë udhëtoj nesër për në Hagë”, kishte thënë Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në vitin 2005.

    Atëbotë President i Kosovës ishte Ibrahim Rugova. Sipas mediave, Rugova e kishte përjetuar rëndë emocionalisht faktin se Haradinaj ishte ngarkuar me këtë aktakuzë.

    “E çmojmë shumë gjestin e Kryeministrit Haradinaj që të bashkëpunoj me Tribunalin e Hagës dhe them lirisht se si gjithmonë, si të gjitha gjestet e z. Haradinaj, edhe ky është nje gjest i madh patriotik dhe të gjithë e dimë që z. Haradinaj është një figurë e shquar dhe ishte figurë e shquar në luftën për liri e pavarësi”, kishte thënë Ibrahim Rugova menjëherë pasi që Haradinaj kishte dorëzuar dorëheqjen.

    Partia e tij AAK ishte në koalicion me LDK-në e Ibrahim Rugovës në kohë. Koalicioni nuk ishte prishur, por kishte vazhduar edhe më tej dhe në vend të tij kryeministër ishte bërë Bajram Kosumi.

    Vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, por kryeprokurorja e Hagës kishte ngritur pretendime të reja se disa komandantë të UÇK-së kishin frikësuar dëshmitarët, që në fund doli si akuzë e paqëndrueshme. Përfundimisht, i pafajshëm, Haradinaj shpallet në vitin 2012, duke e përmbyllur sagën 8-vjeçare me drejtësinë e Hagës.

    Në vitin 2017, Haradinaj ishte zgjedhur edhe një herë Kryeministër i Kosovës. Pozitën e kishte marrë me një vullnet të madh që ta ndryshojë Kosovën dhe ta zhbllokojë nga disa procese ku kishte ngecur, siç ishte transformimi i FSK-së në Ushtri, gjë që u arrit gjatë mandatit të tij.

    “Dua ta kem rastin t’i shërbejë Kosovës”, thoshte shpesh ai. Kryeministër u bë, por me postin erdhën edhe problemet e shumta.

    Më 19 korrik të vitit 2018, Ramush Haradinaj si kryeministër i Republikës së Kosovës, thërret një konferencë të jashtëzakonshme për mediat dhe njofton qytetarët se ai jep dorëheqje nga pozita e Kryeministrit për shkak të një thirrjeje që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Në këtë konferencë, Haradinaj dukej edhe emocionalisht i rënduar.

    “Po, sapo e informova Qeverinë e pastaj do t’i informoj edhe institucionet tjera dhe partnerët politik. Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të Kryetarit të Qeverisë. Pra, nga ky moment jemi në dorëheqje si Qeveri. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga Dhomat e Posaçme, pra të Gjykatës së Specializume. Javën tjetër do të kem paraqitje dhe kam vlerësu që nuk mundem të paraqitem si kryetar i Qeverisë atje, por si një qytetar, si Ramush Haradinaj”, kishte thënë ish-Kryeministri atë ditë.

    Haradinaj kishte thënë se duke dhënë dorëheqje e ruan nderin e pozitës së kryeministrit të Kosovës dhe të shtetit.

    Kjo ftesë nga Gjykata Speciale, pas së cilës nuk ndodhi asgjë, kishte ardhur në një moment kritik për Kosovën, në kohën kur Haradinaj si Kryeministër po bënte një përpjekje të madhe që ta ndal projektin për ndarjen e Kosovës.

    Ai e kishte imponuar një taksë mbi mallrat serbe si mënyrë për ta përjashtuar Serbinë nga dialogu.

    Presioni ishte i madh mbi të, por ai nuk ishte dorëzuar asnjëherë dhe kishte arritur me sukses që të mbante raportet e mira me ndërkombëtarët dhe njëkohësisht të refuzonte projektet e rrezikshme për Kosovën, që vinin të sponsorizuara nga Serbia.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark