×
Hulumtime/Analiza

Dy javë pas publikimit të audio-incizimit ku zv.ministri i Kurtit kërkon ryshfet, asnjë reagim nga Qeveria

Insajderi
20 March 2023 - 16:16
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Provat e reja kundër Almir Velijit të përfshirë në ryshfet nuk e kanë bindur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që ta shkarkojë nga detyra. Kanë kaluar pothuajse dy javë që kur Gazeta Insajderi publikoi një audio-incizim në të cilin dëgjohet teksa zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji e heq një qytetar nga lista e aplikuesve për një grant qeveritar pasi i njëjti kishte refuzuar të jepte ryshfet.

Në Policinë e Kosovës janë dorëzuar prova të reja kundër Almir Velijit. Veliji kishte kërkuar ryshfet nga një qytetar për të fituar grantin qeveritar prej 70 mijë eurosh për të cilin kishte aplikuar.

Dëshmitari i këtij rasti pretendon se bisedat telefonike mes tij dhe Velijit janë zhvilluar në shtator të vitit 2022. Aty dëgjohet teksa Veliji kishte kërkuar ryshfet të majmë nga qytetari mirëpo e kishte koduar atë. Dëshmitari iu ka thënë hetuesve se një mijë euro ishin konvertuar në kodin “një çokollatë milka”.

“Shokit 13 qokollada a mundet vete, ashtu më than. Milka. Më lajmëro të lutem. Çka me i thanë”, kishte thënë Almir Veliji-siç pretendon dëshmitari i Policisë në këtë rast dhe thotë se këto biseda i ka deponuar tek autoritetet.

Pasi qytetari kishte refuzuar ryshfetin, Veliji i nervozuar kishte thënë “tash e heki nga lista e aplikuesve”.

Edhe pse janë bërë dy javë prej kur audio-incizimi është publikuar, Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë asnjë reagim.

Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Përpos këtij rasti, në janar të këtij viti Gazeta Insajderi publikoi një audio-incizim që dëshmonte përfshirjen në ryshfet të zëvendësiminitrit të qeverisë Kurti. Ai ishte përfshirë në një afer për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

Krejt çka mungonte në këtë proces, sipas bisedës që zhvillohet mes personit X dhe Almir Velijit mbetet përcaktimi i çmimit të ryshfetit që do të jepej që granti qeveritar të realizohej.

I pyetur për këtë rast, i pari i qeverisë Albin Kurti tentoi t’ua hedh fajin qeverive të kaluara.

“Për këto raste duhet që organet e rendit ta kryejnë punën e tyre meqenëse e kanë filluar atë. Nuk jam në dijeni nëse zëvendësministri ka kërkuar apo ka marrë mito, përveç konstatimit se komisioni i atyre granteve nuk japin grante pa marrë diçka. Nuk e di kohën kur është bë ajo bisedë por nëse ka ndodhur më herët, pra para qeverisë sonë edhe mund të qëndrojë si konstatim sepse kemi parë dhjetëra arrestime që ndërlidhen me korrupsion, në shpërndarjen e granteve në qeveritë e kaluara”, deklaroi Kurti në Kuvend.

Të gjitha këto akuza i ka mohuar vet Almir Veliji. Në një prononcim për Insajderin ai ka thënë se e ndjen vetën të pafajshëm.

“Nuk kam se çfarë të shtoj më shumë lidhur me këtë çështje. Rasti është duke u hetuar. Unë jam i pastër si loti”.

Veliji theksoi se është në dijeni që me këto çështje janë duke u marrë organet kompetente. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark