×
  • Hulumtime
  • Aktuale

    “Dy kriminel më shumë në burgje” thoshte Sveçla – Por shteti ende nuk ka rënë në gjurmët e dy të dyshuar për përfshirje në rastin 83 kg drogë

    Insajderi
    15 April 2022 - 15:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Janë bërë gati dy muaj prej kur në pikën doganore në Han të Elezit, u kapën në flagrancë  83.5 kilogram drogë e u arrestuan 7 persona të dyshuar si pjesë e grupit që dyshohen për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve. Ministri Xhelal Sveçla publikisht pati deklaruar se burgjeve në Kosovë i ishin shtuar edhe dy kriminel. Pikërisht për këtë rast, prangave të policisë i shpëtuan dy persona të dyshuar si pjesë e grupit që ende ndodhen në arrati. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e Mentor Imamit dhe Agim Rexhepit

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e thoshte me mburrje se dy kriminel më shumë i ishin shtuar burgjeve në Kosovë, në ditën kur në pikën doganore në Hanë të Elezit u kapën mbi 80 kilogram drogë.

    “Kur mes institucioneve të ndryshme ekziston vullneti për bashkëpunim të sinqertë për të siguruar sundim të ligjit e luftë ndaj krimit të organizuar, rezultatet nuk mungojnë. Përgëzime Doganës, Policisë dhe Prokurorisë!”

    “83.5 kilogram heroinë më pak në treg, dy kriminel më shumë në burgjet e Kosovës”, thoshte Sveçla.

    Por, ndonëse kanë kaluar gati dy muaj nga rasti, policia nuk ka arritur ende ta arrestoj Mentor Imamin dhe Agim Rexhepin, që sipas prokurorisë dyshohet se janë pjesë e grupit që iu kapën me 83.5 kg drogë në pikën kufitare Hani i Elezit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Se Imami dhe Rexhepi ndodhen ende në arrati, e kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe Policia e Kosovës.

    “Referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me rastin ne fjalë Policia e Kosovës ka ndërmarr te gjitha veprimet e saj konform autorizimeve ligjore qe ka”.

    “Lidhur me rastin PK-ja ne bashkëpunim me organet e drejtësisë është duke kryer hetime edhe për arrestimin e personit/va te tjerë të mundshëm të involvuar në rast, përfshirë lëshimin e urdhër arrestit”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Insajderi.

    Kujtojmë se në aksionin e policisë me 23 shkurt të këtij viti, ishin kapur 83.5 kg drogë të llojit heroinë. Në këtë aksion policia arrestoi 7 persona, Lorik Tiganin, Onur Vizidik, Muhamet Hasani, Shefket Demi, Faik Krosa, Agim Kadriu, Arslan Asanov.

    Por, prangave të policisë i shpëtuan dy personat që ende ndodhen në arrati, Mento Imami e Agim Rexhepi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryeprokurori Shukri Jashari, në një konferencë për media pati deklaruar se droga kishte si destinacion Prishtinën.

    “Destinacion ka pasur Prishtinën, gjatë kontrollës është dyshuar se kanë qenë edhe 32 reflektorë në të cilët kanë qenë të paketuar nga 5 qese të substancave narkotike, gjithesej 160 paketime”, ka treguar Jashari.

    Jashari po ashtu, ka bërë të ditur se në këtë aksion është sekuestruar një kombi dhe një veturë kurse aktualisht janë duke u zhvilluar bastisje në Pejë dhe Prishtinë.

    Shtatë të arrestuarve ua vazhdohet paraburgimi – Detaje nga rasti i 83 kg droge

    Gazeta Insajderi, me 23 mars ka raportuar po ashtu se Gjykata Themelore në Ferizaj ua kishte vazhduar paraburgimin shtatë të dyshuarve me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes së tyre, dhe ndikimi tek dy të arratisurit e grupit Mentor Imami dhe Agim Rexhepi.

    “Nëse të pandehurit do të lihen në liri të plotë dhe të pakufizuar në lëvizje dhe kontakte, rrethanat e posaçme tregojnë se të njëjtit do të mund të mund të ndikojnë tek bashkë të pandehurit, të cilët akoma gjenden në arrati, përkatësisht të dyshuarit Mentor Imami dhe Agim Rexhepi, në atë mënyrë që të njëjtit do të mund të asgjësojnë, fshehin apo falsifikojnë provat materiale”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

    Sipas prokurorisë, të arrestuarit duke vepruar si grup i organizuar, pa autorizim kanë transportuar nga Turqia në Kosovë substance narkotike me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes.

    “Me rastin e ndaljes dhe kontrillit të automjetit transportues me targa 34 DRV326 dhe rimorkio me targa 34DSB810, pronë e kompanisë “ALBA trans”, e të cilit ka qenë duke u drejtuar nga Arslan Asanov është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 83.592 gram, e cila substancë ka pasur destinacion Prishtinën dhe ka qenë e fshehur në brendi të 32 reflektorëve”, thuhet në kërkesën e paraburgimit.

    Ndërsa të dyshuarit Lorik Tigani dhe Onur Vizdik, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin kanë mbajtur në pronësi armë.

    “I pandehurin L.T., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Magnum”, me pesë fishekë, e të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    “Ndërsa, i pandehuri tjetër O.V., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Ëalther”, që me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, vazhdon njoftimi i Prokurorisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi, ka raportuar se Lorik Tigani është familjar i dizajneres së famshme nga Peja, Linda Imami. Tigani dhëndrri i saj. Ndërsa Mentor Imami vëllau i saj që dyshohet se është i përfshirë në rast ndodhet në arrati.

    I arrestuari tjetër në këtë rast e që ndodhet në paraburgim Onur Vizdik është ortaku i Lorik Tiganit. Vizdik dhe Tigani janë aksionarë në kompaninë Tada Group SH.P.K., kompani që merret me restorante dhe ushqim. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark