Janë bërë dy muaj që kur është dhënë lajmi tronditës për zhdukjen e mostrave në rastin e vdekjes së Astrit Deharit dhe ende nuk është arrestuar askush. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila kishte premtuar se zbardhja e rastit Dehari do të ishte prioritet nën qeverisjen e Vetëvendosjes, sot nuk ka asnjë përgjigje lidhur me këtë skandal. E nga Prokuroria Speciale thonë se janë intervistuar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve por nuk ka të dyshuar.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në javën e parë të dhjetor të vitit 2022 kishte njoftuar opinionin publik se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë që gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Haxhiu thirri konferencë të jashtëzakonshme duke alarmuar publikun për zhdukjen e mostrave, por kjo zgjati pothuajse dy ditë. Deri me tani asnjë i dyshuar e as arrestuar. Madje, Haxhiu as nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Gazetës për hetimet edhe pse ky skandal ndodhi nën udhëheqjen e saj.
Ndonëse, ajo që dha lajmin ka zgjedhur të heshtë – nga Prokuroria Speciale thonë se kanë intervistuar një numër të konsiderueshme të personave por ende nuk kanë ndonjë të dyshuar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje”, thuhet në përgjigjen.
Gazeta Insajderi që dy javë ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Drejtësisë por nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Kujtojmë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kur ishte në opozitë, kishte thënë se rasti i Astrit Deharit do të ishte prioriteti i qeverisë së Albin Kurtit.
“Hetimi i plotë, dhe vendosja e drejtësisë ligjore për këtë ngjarje do të jetë prioritet i yni qeveritar”, thoshte më 24 tetor 2019, opozitarja e zëshme, Albulena Haxhiu. Tash kur kjo e fundit është në pushtet, nga ‘duart’ e saj janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
Si u zhduken mostrat dhe çka përbënin ato?
Lajmin skandaloz për zhdukjen e provave e bëri të ditur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka nën menaxhim Institutin.
Ajo e quajti si akt të rëndë e kriminal.
“Mbrëmë jam informuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”.
Ndërsa bëri të ditur se në Laborator janë zhdukur këto mostra:
“Në mbajtëse e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”.
E Policia e Kosovës, njoftoi se raportimi në polici është bërë nga një zyrtare e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore
Sipas Policisë, ajo ka raportuar se gjatë seleksionimit, klasifikimit dhe bartjes së mostrave, kanë vërejtur se mungojnë disa mostra biologjike.
Rasti është cilësuar si “Manipulim me prova”, shkruan Insajderi.
Ministrja pezulloi katër zyrtarë të IML’së
Ministria e Drejtësisë, një ditë pas dhënies së lajmit kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Instituti të Mjekësisë Ligjore. Ata vazhdojnë të jenë të pezulluar.
Zyrtarët që u pezulluan nga puna ishin:
Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore
Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore
Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore
Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore
Por lidhur me këtë skandal, dorëheqja e parë erdhi nga zëvendësdrejtori Naim Uka.
Lajmin për dorëheqjen tij e konfirmoi për Gazetën Insajderin vetë Uka, duke thënë se ka dhënë dorëheqje morale dhe të pa revokueshme.
“Po e konfirmoj se kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit te IML-së”- tha ai për Insajderin.
Uka dha dorëheqje pasi mostrat e Astrit Deharit u zhduken nga institute ndonëse nuk dihet saktë koha kur ato nuk janë në vendin që do të duhej të ruheshin.
Vdekja e mistershme e Astrit Deharit e pazgjidhur
Hetime, intervista, arrestime, raporte, ekspertiza u kryen gjatë këtyre shtatë viteve që nga 5 nëntori i vitit 2016 për të zbardhur vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e cila ende mbetet një mister.
Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.
Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, por ende nuk është zbuluar e vërteta./ Gazeta Insajderi/