×
  • Lajme
  • Lajme

    Dyshimet për favorizim të kompanisë që la pa rrogë 300 punëtorë, OShP-ja nuk tregon me çfarë baze ligjore porositi super-ekspertizë

    Insajderi
    26 February 2024 - 15:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit në tenderin 1.4 milionësh për sigurimin e Objekteve të Doganës ka porositur një super-ekspertizë e cila del në favor të konzorciumit ku anëtarë është edhe firma “Rojet e Nderit’, për të cilën Insajderi ka raportuar se si i la 300 punëtorë pa paga. Pas publikimit të hulumtimit të Insajderit, në fund është përgjigjur OShP-ja, por nuk ka treguar se cila ka qenë baza ligjore me të cilën e ka porositur këtë dokument të dytë, kur veçse e kishte një ekspertizë të parë që e nxirrte keq këtë firmë.

    Gazeta Insajderi

    Javën që shkoi, Gazeta Insajderi publikoi hulumtimin me të cilin tregoheshin lëvizjet e dyshimta të Organit Shqyrtueses të Prokurimit (OShP) në procesin e ankesave për tenderin 1.4 milionë euro për sigurimin fizik të objekteve të Doganave të Kosovës.

    Edhe pse OShPja kishte porositur një ekspertizë, dhe e njëjta kërkonte ri-vlerësim të tenderit pasi që konzorciumi “Defence Securiti “ SHPK Rojet e Nderit SHPK” kishte telashe serioze me dokumentet që kishte aplikuar.

    “….Marrëveshjet mbi themelimin e grupit ka caktuar Lider te grupit “Defence Securiti “ SHPK ne logon dhe ne emër te Liderit te grupit” Defence Securiti” SHPK Deklaratat Analizat çmimit nënshkruan dhe vulose Kompania “ Rojet e Nderit “.  Pra OE Defender qe i drejtohet Doganës së Kosovës si lider i grupit nënshkruan dhe vulos OE RN gjë qe juridikisht mendoj qe nuk është e pranuare .dhe si e tillë Oferta e grupit të Operatorëve Ekonomik Defence Securiti “ SHPK Rojet e Nderit SHPK. Komisioni Vlerësues AK Dogana Kosovës gjate vlerësimit nuk e ka vrenjtur për këtë arsye ka bere shkelje te LPP te Neni 7 – Barazia në trajtim / Jo-diskriminimi”, thuhet në ekspertizën e parë.

    E pakënaqur me këtë përgjigje OShP-ja kërkoi edhe një super-eksperizë.

    Superekspertiza që kërkoi kërkoi OShP-ja, pa përmendur se cila kompani bëri kërkesë ose cili institucion për të, eventualisht të pakënaqur me të parën, e ndryshon situatën dhe thotë që kompanitë që janë ankuar kanë pjesërisht të drejte, por  Dogana duhet të zbatoi vendimin- rrjedhimisht vendimin në të cilin kompani e parakualifikuar për tender ishte “Defence Securiti “ SHPK Rojet e Nderit SHPK”.

    Duke u bazuar në faktet, sqarimet e lartpërmendura dhe te gjeturat tjera ne këtë raport, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesat e OE ankues të aprovohen si pjesërisht të bazuar, dhe në të njëjtin tender rekomandojmë që të mbete në fuqi vendimi i AK (Doganat e Kosovës) lidhur me këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në raportin e dytë.

    E vendimi i fundit t Doganave të Kosovës, para se të deponoheshin një sërë ankesash në OShP- ka qenë që tenderi ti jepet konzorciumit “Defence Securiti “ SHPK Rojet e Nderit SHPK”.

    Çmimi veç pak më shumë se sa 1 milionë euro.

    OShP-ja nuk tregon se me çfarë baze ligjore ka kërkuar super-eksperiztë

    Pas publikimit të këtij hulumtimi, edhe pse Insajderi i kishte pritur disa ditë, OShP-ja vendosi që përmes e-mailit të dërgonte një përgjigje, por në të cilën përsëri nuk ka cekur bazën ligjore me të cilën kërkoi që të bëhej super-ekspertiza.

    “Apriori, në çdo procedurë administrative kur lidhur me çështjet kontestuese vendoset lidhur me pretendimet dhe/ose të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ndryshëm, organi vendimmarrës ka të drejtë të kërkoj plotësimin e ekspertizës me fakte shtesë, prova relevante përkitazi me vërtetimin e fakteve të pohuara, të ofroj shpjegime plotësuese përkitazi me çështjet jo të shpjeguara dhe/ose të qarta në masë të mjaftueshme dhe sipas nevojë të kërkoj edhe super-ekspertizë. Këto janë autorizime apo të drejta të cilat burojnë nga mandati ligjor i një institucioni, rregullohen shprehimisht me ligj dhe nuk kanë të bëjnë me ketë apo atë ekspert”, thuhet në përgjigjen e OShP-së, por pa cituar nenin ose ligjin në të cilin e kanë ndërmarrë këtë vendim, por janë mjaftuar me fjalën “apriori”.

    Insajderi e kishte pyetur edhe nëse rasti përfundon në Gjykatë, cila nga ekspertizat, e para apo  e dyta do të duhej të merreshin si dokument i prodhuar për këtë proces, dhe as këtu nuk ka marrë një përgjigje të prerë.

    “Secila ekspertizë (e kujt do qoftë) nuk prodhon efekt detyrues dhe e njëjta (cila do qoftë ajo, ekspertizë apo super-ekspertizë) nënshtrohet parimeve të njohura të legjislacionit (pa nevojë për ti cituar tani një varg dispozitash, e një varg ligjesh), të administrimit të provave, me ç ‘rast secili fakt, provë dhe/ose ekspertizë i merr atributet e një prove në varësi të kontekstit të përgjithshëm të procedurës së të provuarit dhe bindjes së pavarur dhe profesionale të një organi kompetent”, thuhet në përgjigjen e tyre, por pa treguar se cilit dokument duhej referuar, pasi që konstatimet e të parti me të dytin janë shumë të ndryshme.

    “Të gjitha veprimet dhe aktet përfundimtare të organeve të administratës publike, qendrore apo lokale, i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë nga ana e sistemit gjyqësor. Dhe në secilën instancë (në procedurë administrative apo gjyqësore), secilit subjekt i njihet e drejta e përdorimit të mjetit juridik, e cila sanksionohet në çdo vend, me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Prandaj i takon diskrecionit të secilit subjekt nëse ka interes për përdorimin e mjetit juridik edhe para Orhanit Shqyrtues të Prokurimit, në kuptim të nenit 4, Paragrafi 1.11,në pajtim me dispozitat e nenit 111 të këtij ligji, e po ashtu edhe në Gjykatën Komerciale, sikurse parashihet mes tjerash me paragrafin 3 të nenit 99 të Ligjit të cituar”, thuhet tutje në përgjigjen e OShP-së.

    Siç kishte raportuar Insajderi, janë tash dy ekspertë e dy ekspertiza, por OShP-ja ka angazhuar ekspertin e dytë pa e anuluar ose bërë të pavlefshme të parën, dhe as për këtë nuk kanë dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë se cila do të mbetet në fuqi.

    “Ekspertizat nuk kanë të bëjnë me emrin personal të asnjë individi, por me fushëveprimin e tij/saj si ekspert, i cili zbatohet në kuptim të dispozitave të cituara 113 dhe 114. Nga ana tjetër, ekspertizat nuk anulohen as nuk lihen në fuqi, por (sikurse është shpjeguar si më sipër) i nënshtrohen administrimit të provave dhe cilat nga ato deri në çfarë mase dhe për cilat shkaqe konsiderohet provë, i takon ekskluzivisht secilit organ vendimmarrës”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

    300 punëtor mbesin pa paga, Cili është komenti i OShP-së?

    Ky konzorcium u bë gati që të shpërblehet me kontratën për sigurimin e objekteve të Doganës, ka ofruar çmim veç pak më shumë se sa 1 milionë euro, ani pse vet Doganat duke pasur parasysh numrin e objekteve e pikave që duhej të ruheshin me roje fizike, vendimet qeveritare për pagën minimale, pagesat jashtë orarit administrativ, fundjavave e ditëve të pushimit kanë koston e vet ekstra, që me tender të shpenzoheshin 1.4 milionë euro.

    Në këtë konzorcium për të cilin super-ekspertiza e OShP-së rekomandon që të shpërblehet me tender nga Doganat, anëtarë është edhe firma “Rojet e Nderit”.

    Rreth 300 punëtorë të sigurimit të kompanisë “Rojet e Nderit” patën mbetur pa rroga për muajin janar të këtij viti dhe bllokimi i mjeteve financiare kishte ndodhur për shkak të një raporti të Auditorit të Brendshëm. Auditorët i kanë evidentuar në raportin e tyre shkeljet e rënda që i kanë hasur gjatë monitorimit.

    Sipas raportit, thuhet se kompania e sigurimeve “Rojet e Nderit” ka bërë shkelje të mëdha në kushtet e punës me punëtoret.

    Nder to, janë theksuar për mungesë të numrit të rojeve, mos pagesa e kontributeve pensionale, mos pagesa e shpenzimeve mjekësore, mos pagesa e ndërrimit të natës, gjatë festave e vikendeve e po ashtu edhe të shujtave ditore.

    “Bazuar në të gjitha të gjeturat e përshkruara në raport dhe jo vetëm, duke marrë parasysh se lënda për aktivitetin për Ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut gjendet në OSHP më shumë se një vit, pastaj vetëm në vitin 2023 kanë qenë aktive 7 kontrata për të cilat është dashtë të formohen komisione të shumta, angazhime të mëdha, duke filluar nga përgatitja e specifikimeve teknike, vlerësime të ofertave, sqarime në pyetje të kërkuara qoftë nga menaxhimet apo edhe OE, angazhime të stafit të KEK-ut në monitorim të implementimit të kontratave, pagesa të faturave dhe pjesa kryesore që janë shkeljet e shumta në implementim të kontratave, përfshirë numrin e madh të mungesave të rojeve, pastaj diskriminimin e punonjësve rojeve të angazhuara në ruajtjen e pasurisë së KEK-ut për shkak të mos pagesës së kontributeve pensionale, mos pagesën e shpenzimeve mjekësore, shujtat brenda 12 ore me një vlerë prej 2€, pagat e ulta, mos pagesa e orëve të ndërrimit te natës, gjatë vikendeve, festave sipas Ligjit të Punës, pastaj kushtet e vështira në hapësirat ku qëndrojnë, mungesa e rrobave apo mos pajisja me rroba që një kohë të gjatë, etj etj, REKOMANDOHET që i tërë menaxhmenti i KEK-ut, përfshirë edhe BD, të trajton çështjen e Rojeve të sigurimit, për të shikuar të gjitha mundësitë ligjore që të njëjtit të kthehën në KEK”, thuhet në fund të raportit të cilin e ka siguruar Gazeta.

    Gazeta Insajderi e ka njoftuar me këtë fakt e zhvillim OShP-në dhe ka kërkuar një koment nga ta.

    “Raportet e Auditimit, përfshirë përmbajtjen, saktësinë, gjetjet, mostrat hulumtuese dhe vlerësimi i tyre, është çështje e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm apo të Brendshëm dhe e Institucionit konkret, e jo e Organit Shqyrtues të Prokurimit”, thuhet në përgjigjen e tyre

    OShP-ja në një përgjigje tjetër thotë se si institucion  “nuk e favorizon asnjë operator ekonomik dhe asnjë autoritet kontraktues, në cilin do qoftë, lokal apo qendror. OSHP i zbaton kompetencat e parapara shprehimisht me nenet 98, 99 lidhur me neni 105 dhe i konsideron të gjitha palët të barabarta, sikurse kërkohet kjo me nenin 104 të Ligjit të cituar”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark