×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Dyshimet për manipulim me votat të projektligjit për tekste shkollore – deklarohet Gola

    Insajderi
    12 April 2024 - 13:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Kuvendin e Kosovës janë ngritur dyshimet se projektligji për tekstet shkollore ka kaluar pa pasur votat e mjaftueshme. Madje, edhe vet Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca hodhi dyshime në disa momente se nuk janë të pranishëm mbi 60 deputetë që të ketë kuorum.

    Për këtë sot është deklaruar kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, shkruan Insajderi.

    Gola është shprehur se nuk kanë autoritet ta ndalin Projektligjin për tekste shkollore nëse nuk vërtetohet që projektligji në fjalë është votuar.

    “Lidhur me dilemën e ngritur sa i përket numrit të votave asgjë të pazakontë nuk ka në mënyrën se si po procedohet ky projektligj. Komisioni për Arsim nuk ka asnjë autoritet dhe kompetencë për të ndalur procedurën automatike e cila fillon në momentin kur nga kryetari i Kuvendit kemi një vendim të plotfuqishëm i cili i detyron komisionet funksionale, në këtë rast Komisioni për Arsim për të proceduar tutje për shqyrtimin nen për nen të këtij projektligji nëse ka diçka kontestuese ashtu sikurse po ngrihen edhe nga opozita, atëherë është pikërisht komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Rregullore të Kuvendit, ai i cili e ka për obligim dhe për mandat për të interpretuar një rast specifik nëse është shkel rregullorja ose jo”, ka thënë Gola.

    Kryetari i Komisionit shtoi se procedura është ajo e cila artikulon vullnetin politik të deputetëve dhe e përligj çfarëdo lloj përmbajtje ligjore e cila materializohet përmes Projektligjit.

    “Ne si komision nuk guxojmë ta ndalim automatizimin e kësaj procedure por duhet të procedojmë në përputhje me obligimet të cilat vijnë nga seanca plenare përkitazi ose respektivisht nga vendimet që nxirren nga kryetari që e reflektojnë ose pasqyrojnë seancën e asaj dite. Nuk guxojmë të predikojmë kurrfarë epilogu në ankesat e ngritura dhe për më tepër nuk jemi adresa e duhur për t’i trajtuar këto. Është kabineti i kryetarit e mbase edhe administrata e cila duhet t’i sqarojë dhe unë shpresoj që çdo gjë të shkojë në përputhje me procedurën për shkak se procedura është ajo e cila artikulon vullnetin politik të deputetëve dhe e përligj çfarëdo lloj përmbajtje ligjore e cila materializohet përmes Projektligjit”, ka thënë Gola.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    04 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark