×
  • Sport
  • Sport

    Dyshohet se arbitrave grekë iu kërkua të kurdisin një çerek të ndeshjes

    Insajderi
    23 April 2023 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nuk ka pasur ndonjë zhvillim apo reagim të dielën lidhur me akuzat e shumta të paraqitura të shtunën për tentim të kurdisjes së ndeshjeve në basketbollin kosovar. KOHA ka kontaktuar me policinë, prokurorinë, Këshillin për Parandalimin e Dhunës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

    Ndërkohë, nga një letër interne që kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ua ka dërguar anëtarëve të Bordit të FBK-së, mund të kuptohet që tentimi për kurdisje ishte më shumë i orientuar drejt përfitimeve ilegale përmes basteve se sa për të favorizuar njërën skuadër apo tjetrën.

    Të shtunën Sigal Prishtina përmes një komunikate ka shkruar se ka parandaluar kurdisjen e ndeshjes me Trepçën, që u luajt të enjten në kryeqytet. Atë ndeshje është dashur ta drejtojnë dy arbitra nga Greqia e një nga Kosova. Por në ditën e ndeshjes arbitrat grekë u larguan dhe tre gjyqtarë vendorë gjykuan.

    Sipas Prishtinës, në natën para ndeshjes një person i ka futur në veturë dy referët grekë dhe u ka ofruar ryshfet për ta manipuluar ndeshjen në favor të skuadrës mysafire. Prishtina ka thënë se ka fakte, që megjithatë nuk i ka prezantuar. Trepça ka ngulur këmbë se nuk është e përfshirë dhe ka kërkuar hetime të detajuara për këtë rast dhe të gjitha rastet tjera. Dyshime se ka pasur kurdisje më pas shprehu edhe Peja. Arbitrat grekë të mërkurën mbrëma kishin drejtuar ndeshjen mes Pejës e Golden Eagle Yllit. Ndërkohë, Ylli ka mohuar çdo përfshirje dhe ka kërkuar hetime.

    Më shumë dritë për situatën ofrohet përmes letrës që Fetahu ua ka dërguar anëtarëve të Bordit të FBK-së, një kopje të së cilës e ka parë KOHA. Fetahu ka shkruar se arbitrat janë larguar nga hoteli ku ishin të vendosur pas orës një të natës. Të enjten, Fetahu ka mbajtur takim me arbitrat grekë. Ata kanë konfirmuar se pas mesnate, mes së mërkurës e të enjtes, kanë bërë një xhiro me veturë me një person. Nuk kanë saktësuar se kush ishte personi, por sipas arbitrave ai është prezantuar si i afërt me Trepçën, por që nuk mban pozitë drejtuese në klubin mitrovicas.

    “Pyetjes sime për motivet e këtij takimi dhe kërkesës së personit në fjalë ndaj dy arbitrave, iu përgjigjën me: ai na u drejtua me kërkesë për të ndikuar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes apo një çereku të caktuar të saj, ndërsa ne refuzuam çfarëdo pjesëmarrje në skema të tilla“, ka shkruar Fetahu për anëtarët e Bordit të FBK-së, duke cituar arbitrat nga Greqia.

    Deklarata e tij mund t’i japë drejtim krejt tjetër ngjarjes. Fakti se pretendohet që arbitrave u është kërkuar edhe kurdisja e një çereku konsiderohet se tentimi ishte vepër e një apo dy personave që kanë tentuar të përfitojnë përmes basteve, në kundërshtim me ligjin. Nga fitimi i një çereku skuadrat nuk kanë asnjë përfitim, por përfitimit mund të jenë të mëdha nga bastet. Dhe kjo lë pak hapësirë që përpjekjet për manipulim të jenë bërë nga klubet.

    Ka dyshime se pos ish-zyrtarit të një klubi të basketbollit, emrin e të cilin e dinë thuajse të gjithë, i përfshirë është edhe një ish-arbitër i basketbollit kosovar.

    Dyshime për kurdisje të ndeshjeve, sidomos në Ligën Ballkanike, ka pasur për shumë vjet. Por dyshimet kanë mbetur pa ndonjë hetim të mirëfilltë dhe të dënuar nuk ka pasur. Por përfitimet nga bastet në vende të treta, vlerësohet se kanë qenë shumë të mëdha.

    Arbitrat grekë janë larguar nga Kosova dhe është e pabesueshme që do të kthehen për të drejtuar ndeshje basketbolli. Por prapa kanë lënë dyshime e akuza të shumta.

    Është përfshirë edhe Federata e Basketbollit e Greqisë që ka kërkuar informatë zyrtare nga FBK-ja për tentimin për të korruptuar gjyqtarët grekë.

    Arbitrat e huaj mund të kthehen për finalen e plejofit. Deri atëherë pritet ndonjë veprim i organeve të hetuesisë për ta zbardhur rastin që gjithnjë e më shumë duket tentim i një grupi të caktuar për të përfituar në mënyrë ilegale nga bastet. /Koha/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark