
Kontrata që iu besua Lirit- Med nga ShSKUK, për furnizimi me kontrast jojonik, u detyrua të ndalet. Ky kontrast që përdoret për procedurat imazherike në QKUK, dyshohet se ka shkaktuar reaksione tek një numër i pacientëve. Nga ShSKUK, kanë konfirmuar se janë disa raste potenciale të efekteve anësore.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, për një përgjigje për Gazetën Insajderi, kanë shpjeguar se gjatë përdorimit të kontrastit janë raportuar raste potenciale të efekteve anësore.
“Pasi në një klinikë, përkatësisht në Shërbimin Pediatrik- Radiologjik, gjatë përdorimit të Kontrastit janë raportuar raste potenciale të efekteve anësore, rasti është lajmëruar tek organet kompetente që janë duke e analizuar. Si institucion kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, të cilat janë lajmëruar më kohë”, thuhet aty.
Tutje, ShSKUK, ka sqaruar se me rekomandim të Inspektoratit Farmaceutik, është ndërprerë shpërndarja e këtij produkti aty ku përdoret.
“Deri në një vendim të dytë është ndërprerë shpërndarja e produktit deri kur të marrim përgjigje nga organet kompetente”, thanë nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për Insajderin.
Dyshimet që u ngritën për kontratën që iu besua biznesmenit Lirim Mustafa
Në nëntor të vitit 2024 Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, kishte dhënë tender kompanisë “Liri-Med” për furnizim me kontrast jojonik.
Vlera ishte 123 mijë e 984 Euro për periudhë prej tre mujore.
Por, ende pa përfunduar kontrata u detyrua të ndalet.
Inspektorati Farmaceutik ka konfirmuar se janë raportuar efekte anësore.
Inspektorati thanë se produkti është prodhim kinez i kompanisë “Shanghai Starry Pharmaceutical Co., Ltd”.
Ndërkohë janë duke pritur raportin e Laboratorit Kombëtar të Cilësisë ku edhe i ka dërguar mostrat e kontrastit kinez që u përdor në QKUK.
Rastet e efekteve anësore janë raportuar më 30 janar 2025 nga drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë në QKUK.
Rastet janë raportuar në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, përkatësisht në Departamentin e Farmakovigjilencës. Ky departament ka kërkuar inspektim nga Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë kryer inspektim më datën 3 shkurt 2025.
“Me datë 04.02.2025, në stokun e këtij produkti në Kliniken e Radiologjisë, inspektorati ka marr mostrat dhe të njëjtat i ka dërguar për analiza laboratorike në Laboratorin Kombëtar të Cilësisë në AKPPM. Aktualisht inspektorati është në pritje të këtyre rezultateve laboratorike. Bazuar në Raportin për Efektet Anësore të dyshimta, të raportuar nga klinika e Radiologjisë, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar ndërprerjen e shpërndarjes dhe përdorimit të këtij produkti deri në një urdhër të ri të ardhshëm të Inspektoratit Farmaceutik”, thuhet në përgjigjen e IF-së për Gazetën Shneta.
Ndërkohë Insajderi, ka pyetur edhe kompaninë në fjalë lidhur me dyshimet e ngritura, por të njëjtit kanë heshtur.
Kujtojmë se kjo kompani nuk është që njihet për imazh të mirë.
Skandalet në të cilat është përfshirë kompania Liri-Med
Kompania e biznesmenit Lirim Mustafa, në vitin 2022 ishte përfshirë në skandalin me antibiotikut të kontaminuar që u në QKUK.
Një injeksion ceftriaxone i kontaminuar ishte zbuluar në QKUK, derisa po bëhej gati terapia për pacientët. Brenda injeksionit u gjet një copë metali.
Ky ilaç në QKUK ishte blerë nga kompania ‘Liri-Med’ përmes një kontrate mbi 311 mijë euro.
Antibiotiku ishte prodhim nga India i kompanisë ‘Syner Medico’.
Inspektorati, në atë kohë kishte urdhëruar kompaninë ‘Liri-Med’ që të pezullojë gjithë sasinë e këtij produkti në institucionet që i ka shpërndarë.
Gjoba prej 17 mijë eurosh
Në të njëjtin vit, 2022, Liri-Med” u dënua me 17 mijë euro gjobë pasi nuk kishte dërguar me kohë, barnat për të cilat ishte kontraktuar nga ky institucion.
Kompania e biznesmenit Lirim Mustafa, në atë kohë, ishte dënuar 15 herë me gjobë.
Kompania ”Liri-Med”, ishte vonuar për të dërguar në Spitalet e Kosovës, tri injeksione – atë të “Amiodarone”, “Fluphenazine”, “Midazolam”, shkruan Gazeta Insajderi.
Të gjitha këto medikament janë barna esenciale që ShSKUK-ja do të duhej të ishte furnizuar me kohë.
Lirim Mustafa figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve si pronar i vetëm i “Liri-Med” Sh.p.k..
Kompania të cilën ai e drejton, ka përfituar kontrata milionëshe nga prokurimet publike.