×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    E denoncuar për emërim të jashtëligjshme në Spitalin e Prizrenit – Kush është Narqize Hoxhaj që u vendos në krye të ShSKUK-së

    Insajderi
    26 January 2023 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Doktoresha Narqize Arënliu-Hoxhaj është zgjedhur sot ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, shkruan Insajderi.

    Vendimi u mor nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së pasi Pranvera Zejnullahu-Raci, dha dorëheqje nga kjo pozitë.

    “Po ashtu, ju njoftojmë se bazuar në kompetencat e veta Bordi Drejtues i SHSKUK-së, ka emëruar zëvendësuesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, Dr. Narqize Arenliu-Hoxhaj. Bordi Drejtues i SHSKUK-së, me këtë rast duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të Dr. Pranvera Zejnullahu-Raçi, e falënderon për bashkëpunimin e treguar”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

    Nga ShSKUK-ja, nuk ka dhënë detaje se cilat kanë qenë arsyet e dorëheqjes së Zejnullahu Raçi. Ajo ishte emëruar në këtë pozitë në gusht të vitit 2022, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Valbon Krasniqi.

    “Ju njoftojmë se Bordi Drejtues i ShSKUK-së, në mbledhjen urgjente të mbajtur me datë 26.01.2023, ka shqyrtuar letër- dorëheqjen e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Dr. Pranvera Zejnullahu-Raçi, me numër protokolli 289, të datës 26.01.2023, dhe të njëjtën e ka miratuar”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

    Kush është e emëruara e re në krye të SHSKUK-së?

    Narqize Arënliu-Hoxhaj kishte pasur edhe më parë funksione të larta publike në shëndetësi. Në vitin 2020, ajo ishte emëruara drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit nga ish-kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi.

    Më pas, më 28 qershor 2022, Arënliu-Hoxhaj u vendos në krye të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit.

    “Spitali i Përgjithshëm në Prizren, prej sot, udhëhiqet nga Dr. Narqize Arënliu-Hoxhaj. Doktoreshës i urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrën e re”, thuhej në njoftim.

    Emërimi i Arënliu-Hoxhaj në krye të spitalit të Prizrenit ishte denoncuar publikisht për zgjedhje të kundërligjshme

    Më 29 qershor 2022 në Gjykatën Themelore në Prizren, paditësi L.G, kishte kërkuar anulimin e konkursit publik të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

    Paditësi L.G., kishte pretenduar se kandidatja Narqize Arënliu– Hoxhaj, e përzgjedhur për pozitën drejtorësh e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës- ShSKUK, nuk i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

    Sipas padisë, në rastin konkret e përzgjedhura nga komisioni përzgjedhës si kandidate fituese Narqize Arënliu-Hoxhaj nuk ka plotësuar këtë kriter, ngase nuk ka punuar në kuadër të ShSKUK-së, por ka punuar në sektorin privat si stomatologe, andaj në këtë drejtim vendimi i komisionit përzgjedhës është i kundërligjshëm.

    Tutje, në padi thuhet se paditësi i cili ka konkuruar në këtë konkurs i plotëson të gjitha këto kushte, të cilat fakte vërtetohen nga kontrata e punës, ku i njëjti ka qenë kryeshef i sektorit për monitorim dhe vlerësim të cilësisë së punës në ShSKUK.

    Në anën tjetër, në kontestin civil ndërmjet paditësit L.G dhe të paditurës Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), e paditura ShSKUK më 22 dhjetor të vitit që lamë pas, ka kërkuar refuzimin e padisë si të pabazuar.

    Në këtë rast, paditësi L.G., pretendonte se kandidatja Arënliu–Hoxhaj, e përzgjedhur për pozitën drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës- ShSKUK, nuk i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

    I autorizuari i ShSKUK-së, Dibran Zogaj i kishte propozuar gjykatës që të refuzojë kërkesëpadinë e palës paditëse, pasi që sipas tij në provat dhe faktet e ofruara nuk është arsyetuar padia dhe kërkesëpadia e ngritur ndaj tyre.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark