×
  • Showbiz
  • Show

    E futi në shtet ilegalisht përmes USB-së serialin “Squid Game”, studenti i Koresë së Veriut do të ekzekutohet me pushkatim

    Insajderi
    24 November 2021 - 12:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një student i Koresë së Veriut do të ekzekutohet për depërtimin ilegal të një kopjeje të serialit “Squid Game” në vend.

    Kontrabandisti, një student, thuhet se është kthyer nga Kina me një version dixhital të serisë hit koreano-jugore të ruajtur në një USB të fshehur.

    Por pasi ua shiti kopjet disa njerëzve, duke përfshirë edhe kolegët studentë, ai u kap nga shërbimet e mbikëqyrjes së vendit, shkruan DailyMail.

    Kuptohet se ai tani do të ekzekutohet me pushkatim – një nga metodat e zymta me të cilën vriten edhe personazhet në serialin e shumë shikuar.

    Besohet se arrestimet u kryen gjatë javës së kaluar në provincën veriore Hamgyong të Koresë së Veriut, e cila kufizohet me Kinën.

    Radio Free Asia raportoi se një student që bleu një kopje të USB-së është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa gjashtë të tjerë që shikuan shfaqjen janë dënuar me pesë vjet punë të rëndë.

    Koreja e Veriut ka një ndalim të rreptë për lejimin e materialeve nga vendet e perëndimit dhe Koreja e Jugut dhe zyrtarët tani po kryejnë kontrolle në shkollën e studentëve për të kërkuar nëse ka kopje të tjera të serialit.

    Disa mësues thuhet se janë pushuar nga puna ose mund të dëbohen për të punuar në miniera të largëta si ndëshkim për mos-vërejtjen e qarkullimit të USB-ve me përmbajtje ilegale në vend.

    “E gjitha filloi javën e kaluar kur një nxënës i shkollës së mesme bleu fshehurazi një USB që përmbante episodet e serialit koreano-jugore ‘Squid Game’ dhe e shikoi atë me një nga miqtë e tij më të mirë në klasë”, tha një burim i zbatimit të ligjit për Radio Free Asia.

    Burimi tha se dyshja diskutuan për serialin me miqtë që u interesuan dhe blenë kopje prej tij.

    Bota distopike e serialit “Squid Game”, në të cilën njerëzit me borxhe të mëdha përballen me njëri-tjetrin në lojërat e fëmijëve koreanë, me lojtarët e humbur që dënohen me vdekje, rezonon qartë me koreano-veriorët që jetojnë nën diktaturë.

    Por studentët më pas u kapën nga shërbimi i mbikëqyrjes së qeverisë, 109 Sangmu – të cilët kishin ‘marrë një informatë’ se po shikonin një serial televiziv perëndimor.

    Arrestimi i shtatë studentëve shënon herën e parë që qeveria po zbaton ligjin e sapo miratuar për ‘Eleminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare’, në një rast që përfshin të mitur, thuhet sipas Radio Free Asia.

    Ligji parashikon një dënim maksimal me vdekje për shikimin, mbajtjen ose shpërndarjen e përmbajtjeve nga vendet kapitaliste, veçanërisht nga Koreja e Jugut dhe ShBA.

    Ndëshkimi nuk ndalet me kontrabandistin dhe studentët që shikuan videon, por do të mbajnë përgjegjësi edhe të tjerët që nuk kanë lidhje me ngjarjen.

    Burimi shtoi se qeveria po e merrte incidentin ‘shumë seriozisht’.

    “Komiteti Qendror ka shkarkuar nga detyra drejtorin e shkollës, sekretarin e tyre të rinisë dhe mësuesin e dhomës së tyre të shtëpisë”.

    “Janë përjashtuar edhe nga partia. Është e sigurt që ata do të dërgohen të punojnë në minierat e qymyrit ose do të internohen në pjesët rurale të vendit, kështu që mësuesit e tjerë të shkollave janë të gjithë të shqetësuar se mund t’u ndodhë edhe atyre nëse një nga nxënësit e tyre gjithashtu kapet në hetim”, tha burimi.

    Pas kapjes së studentëve, autoritetet filluan të kontrollojnë tregjet për pajisjet e ruajtjes së memories dhe CD-të e videove që kanë përmbajtje të huaj, i tha RFA-së një banor i provincës.

    “Banorët po dridhen të gjithë nga frika sepse do të ndëshkohen pa mëshirë për blerjen ose shitjen e pajisjeve të ruajtjes së memories, sado të vogla të jenë”, tha burimi i dytë, i cili kërkoi anonimitetin për të folur lirshëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark