Është tashmë e ditur që raportet e ish-Presidentit Ibrahim Rugova me ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë qenë gjithmonë të veçanta. Kjo “kimi” mes Rugovës e Haradinajt ishte vulosur përfundimisht në vitin 2004 me një koalicion qeverisës, ku Haradinaj ishte bërë Kryeministër.
Për atë kohë, ky koalicion kishte shkaktuar “tërmet” politik, pasi që Rugova si fitues i zgjedhjeve kishte shprehur vullnetin e tij që Haradinajn të ftojë për partner qeverisës, kur armiqësitë mes krahut të luftës dhe krahut të paqes ishin tejet të mëdha. Ky koalicion e dëshmoi Rugova nuk kishte ndonjë problem real me krahun e luftës si të tillë, por me disa njerëz specifik të atij grupi.
Ish-Presidenti Rugova simpatinë dhe konsideratën për Haradinajn e kishte shprehur hapur disa herë.
Kur ai kishte dhënë dorëheqje në vitin 2005, pas aktakuzës së Gjykatës së Hagës, Rugova Haradinaj e kishte quajtur figurë e shquar e luftës për liri. Ai, po ashtu e kishte vlerësuar lartë aktin e dorëheqjes së tij për t’i larë hesapet me drejtësinë ndërkombëtare. Pas një procesi të gjatë, Haradinaj kishte dalë i pafajshëm.
“E çmojmë shumë gjestin e Kryeministrit Haradinaj që të bashkëpunoj me Tribunalin e Hagës dhe them lirisht se si gjithmonë, si të gjitha gjestet e z. Haradinaj, edhe ky është nje gjest i madh patriotik dhe të gjithë e dimë që z. Haradinaj është një figurë e shquar dhe ishte figurë e shquar në luftën për liri e pavarësi”, kishte thënë Ibrahim Rugova menjëherë pasi që Haradinaj kishte dorëzuar dorëheqjen.
Edhe Haradina nuk ka ngurruar asnjëherë që ta shpreh simpatinë dhe afërsinë që e kishte me Ibrahim Rugovën. Në një intervistë të mëhershme Haradinaj kishte treguar se kur ia kishte ofruar dorëheqjen në vitin 2005, Rugovën e kishte gjetur duke qarë.
“U mërzit shumë. Ish kanë t’u qajtë. I pikshin lotët. Ai më ligu se unë isha i fortë”, kishte treguar Haradinaj. “I thashë ‘O president mos ki merak se i kapërcejmë këto’”, tregon t’i ketë thënë ai.
Haradinaj kishte treguar se Rugova e kishte pyetur për një koalicion qysh në vitin 2001 dhe se ia kishte dhënë fjalën që nëse u dalin numrat, do ta bëjnë atë.
Se Haradinaj ishte një prej njerëzve më të dashur për Rugovën e thonë shumë njerëz. Edhe Adelina Ismaili, në emisionin e saj, kishte konfirmuar se kjo gjë ishte e vërtetë.
“Ke qenë një prej personave më të dashur të Presidentit Ibrahim Rugova. Këtë e them me përgjegjësi të plotë sepse e kam njoftë atë njeri personalisht edhe e kam pa që është kah të do, është ka të beson dhe ka të çmon”, kishte thënë ajo përballë Haradinajt, duke pyetur atë se përse ishte kështu raporti i tyre.
Haradinaj ka treguar se Rugova kishte një konsideratë të veçantë njerëzore, prandaj sipas tij, ai të obligonte një dashur reciproke.
“Gjatë bisedës me të, çdo herë mua m’u shtojke njëfarë respekti, në aspektin njerëzor për njerzillakun që e tregojke, një kujdes. Unë isha më i ri. Me thënë të drejtën të obligojke edhe ai në dashni ndaj tij se ti e shihshe që po sillet kujdesshëm, po ka respekt, po të ruan. Unë kam qenë më i ri e nganjëherë në takime me të huaj e e të tjerë, e kam pasë atë ngutinë time, e ai nganjëherë më ruante që mos me gabu diçka”, tregonte ai në një intervistë.
Haradinaj kishte treguar edhe se si Rugova kishte marrë dy vërejtje nga ndërkombëtarët duke tentuar që ta ruaj Haradinajn nga përplasjet me ata.
“Nja dy herë ai ka marrë vërejtje për mua. E mori fjalën se më pau që jam t’u hy që thotë populli llugave edhe më kapke n’kambë njëherë. Më kujtohet shumë mirë, më kapke në kambë nën çarçaf të tavolinës, edhe kur u ktheva e po e kqyri e kishte pas çu dorën. Tha, unë po du me marrë fjalën, e hini ai e i ra edhe më ashpër se unë. Kur u kry, i thashë ti s’më le se atë deshta me thanë. O Ramush, për atë nuk të lashë se ty ta marrin ndryshe. Kur i them unë, më mirë për ty edhe më tha ruju pak se s’bën qysh po i bjen ti drejt punëve”, kishte treguar Haradinaj.
Kur Haradinaj ishte liruar nga Gjykata e Hagës dhe kishte ardhur në Kosovë, një prej vendeve të para që kishte vizituar ishte varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.
Raportin special sot Haradinaj e mban edhe me familjen e Rugovës, djemtë, vajzën dhe gruan e tij.
Ai ka thënë se respekton atë familje, duke e quajtur Fanën, gruan e ish-Presidentit, një “grua fisnike”.