Kryetari i Komunës së Skenderaj, Bekim Jashari ka konfirmuar se nuk do të votojë në zgjedhjet e ditës së sotme, shkruan Insajderi.
Krejt kjo si shenjë proteste ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët sipas tij kanë ndal kamerat në vendvotimet e kësaj komune.
Jashari është shprehur se prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit dhe kështu nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë.
Reagimi i plotë i Jasharit:
Të dashur qytetarë,
Pas zhvillimeve të djeshme ku si kryetar i komunës kam kërkuar që të mos ndalen kamerat në vendvotime për të pasur një proces të rregullt zgjedhor dhe pasi që KQZ-ja ka marrë vendim që të ndal kamerat, sot kam vendosur që të mos marrë pjesë në këtë proces zgjedhor.
Ky vendim vjen në shenjë proteste ndaj vendimit të KQZ -së, e cila në vend që të jetë në shërbim të mbrojtjes së votës, votimit dhe numërimit të rregullt ajo vendosi që t’i ndal kamerat në vendvotime të komunës sonë. Ndërkohë që liderët e partive politike gjatë votimit shoqërohen nga mediet dhe kjo nuk i pengon KQZ-së.
Prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit dhe kështu nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse nga kamerat e vendosura në vendvotime nuk shihet hapësira brenda kabinës së votimit dhe kështu votimi është i fshehur.
Kjo dëshmohet edhe nga fotografia e bashkëngjitur më poshtë, e derguar nga njëri nga drejtorët e shkollave të komunës sonë, dje gjatë përgatitjeve paraprake që janë bërë.
Askush nuk duhet t’i frikësohet transparencës dhe masave konkrete në shërbim të zhvillimit të një procesi demokratik zgjedhor, përkundrazi vullneti i secilit qytetar është i shenjtë dhe nuk duhet lejuar që të deformohet.
Lexo edhe: