×
  • Lajme
  • Insajderi

    E quajti kërcënim grevën e paralajmëruar nga SBASHK – Jasharaj për Nagavcin: S’fliste kështu kur ishte veç deputete

    Insajderi
    02 August 2022 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deklarata e ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci se paralajmërimi i SBASHK-ut për grevë nga 1 shtator paraqet kërcënim e si i tillë është i papranueshëm ka nxitur reagimin e kreut të kësaj sindikate, Rrahman Jasharajt.

    Jasharaj, mbrëmë në emër të SBASHK-ut i ka bërë një reagim të gjatë e të ashpër ministres.

    Reagimi fillon me fjalinë “funksioni dhe kolltoku e kanë ndryshuar shumë Arbërie Nagavcin”, për këtë Gazeta Insajderi ka kërkuar detaje shtesë nga Jasharaj e se si do të veprojë tutje kjo sindikatë. A do të vazhdojnë me masa deri në zgjidhjen e ‘problemit’.

    Jasharaj i tha Gazetës Insajderi se e njohin Arbërie Nagavcin sepse ka qenë për vite pjesë e sistemit të Arsimit dhe që sipas tij është e palogjikshme se si Nagavci sa ishte veç deputete e opozitës përkrahte kërkesat e SBASHK-ut teksa tani si ministre ka ndryshuar tërësisht.

    “Ministren Nagavci e njohim që moti ka qenë  tërë jetën në sektorin e Arsimit duke filluar si mësimdhënës pastaj drejtore e shkollës, pastaj ka qenë drejtore e DKA-së në Gjakovë dhe më vonë si deputete e partisë pra VV-së ka qenë e zëshme si dhe ka qenë anëtare e komisionit për Arsimit dhe kur kemi bë grevë për të njëjtin shkak pra për ligjin e pagave, në kohën kur ishte kryeministër Haradinaj ajo para mediave ka deklaruar se faji që ka ardhur deri tek kjo fajet i ka keqmenaxhimi gjegjësisht udhëheqja e keqe e qeverisë dhe se mësimdhënësit se dua grevën por janë të shtrënguar të shkojnë në grevë”, tha ai për Insajderin.

    Sipas tij Nagavcin e ndryshojë pushteti.

    “E tani kur është bërë ministre ne mendojmë se pozita që ka e ka ndryshuar zonjën Nagavci ngase ajo deklaratë e atëhershme dhe tash në mungesë të dialogut me qeverinë po shtrëngohet, kemi bërë protesta, grevën një orëshe dhe tash ministren Nagavci e kemi lutur që ta ngris zërin në qeveri, t’i tregojë këto shqetësime e tash ajo ka një vlerësim tjetër. Ndërsa atëherë ka thënë që qeveria ka faj dhe SBASHK-u pas injorimit që i është bërë po shkon në po shkon në grevë tani si ministre thotë se nuk duhet të shkohet ne grevë se skemi të drejtë tua cenojmë të drejtën fëmijëve për arsim dmth vlerësimi i saj për të njëjtën gjë ka ndryshuar tërësisht”, deklaroi tutje ai derisa u shpreh se nuk do të ndalën deri në plotësimin e kërkesë së tyre.

    Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm.

    Kështu ka deklaruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, teksa ka deklaruar se çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët.

    Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit

    Sipas saj, rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë.

    Reagimi i plotë:

    Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë.

    Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime pozitive.

    Ata që ja duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa.

    Si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punojmë me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme.

    Koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t’u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim.

    Përmes reagimit të tyre, SBASHK ka kërkuar nga Nagavcit dhe Qeveria që t’i hapin dyert për takime e dialog.

    “Ministre nëse ju dhe Qeveria vërtetë brengoseni për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva angazhohuni dhe hapni dyert për takime e dialog dhe për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre përcjell Insajderi.

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku ndër to bën pjesë edhe SBASHK-u ka këto tri kërkesa kryesore për Qeverinë: Vazhdimin e pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri në zbatimin e Ligjit të pagave; nisjen e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore dhe ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, përkatësisht të pjesës ku kërkohet që punëtorët të kenë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark