×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    E udhëhequr nga një izraelit, si funksiononte skema e mashtrimit me “Call Center” në Kosovë

    Insajderi
    12 February 2023 - 20:48

    Biznesmeni izraeliti, Omer Tene udhëhiqte biznesin “Call Ceneter” në Kosovë përmes të cilit po dyshohet se janë mashtruar njerëzit. Izraeliti tashmë ka përfunduar në duart e organeve të drejtësisë në Kosovë. InDoks sjell detajet ekskluzive të rastit.

    Tene është pronar i firmës “O.T Capital”, e regjistruar në Kosovë në vitin 2018 me aktivitet kryesor: Qendër e thirrjeve.

    Bashkë me Omer Tene është arrestuar edhe gruaja e tij, Enesa Tene. Pos qiftit, në pranga përfunduan edhe Altin Gashi, Bindi Balidemaj, Artan Ademaj, Lauresa Hoxha, Lirie Gegaj, Dibran Morina, Albion Selmanaj, Ilir Kadishani, Joana Llapi, Kujtim Islamaj, Marigona Pepiqi dhe Vildane Kosumi.

    InDoks ka përcjellur nga afër rastin e tyre. Janë parë duke u futur në sallën e gjyqit. Ndër të fundit në radhët është kapur duke hyrë edhe biznesmeni, Omer Tene.

    Në dosjen fillestare të Prokurorisë që e ka siguruar InDoks bëhet me dije se 14 persona dyshohen për veprat penale si “Hyrja në sisteme kompjuterike, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

    Por, si funksiononte krimi me “Call Center”, për të cilin dyshohen të njëjtit, sipas Dosjes?

    Në krye të operacionit ishte biznesmeni izraelit, Omer Tene, pornari i firmës “O.T. Capital”, derisa të tjerët sipas Prokurorisë kanë vepruar si punëtorë të qendrës së thirrjeve  me të njëjtin emër.

    Ata, përmes thirrjeve telefonike duke përdorur softver kompjuterik, kanë kontaktuar të dëmtuarit nga vende të ndryshme të botës, me të ardhura të larta, të cilët nuk kishin njohuri në fushën e investimeve, e as në teknologji.

    Të njëjtit iu kanë ofruar të dëmtuarve, të konsideruar edhe si viktima, investime në aksione, para virtuale, forex etj., duke i udhëzuar që të investojnë në ueb faqen të cilën të pandehurit e kanë krijuar vet dhe në të cilën manipulojnë me vlerën e tyre, pretendon Prokuroria.

    Dosja vazhdon duke sqaruar se më pas, viktimat i udhëzojnë që në kompjuter të instalojnë softver për qasje nga distanca për “ndërmjetësues” për të bërë më shpejt investimin, ndërsa në fund të hollat nga viktima kanë shkuar në xhirollogaritë të bizneseve të ndryshme fiktive, e nga aty në llogari të biznesit “O.T. Capital LL.C”- pronë e izraelitit Omer Tene.

    InDoks ka tentuar që të marrë prononcim edhe nga avokati i tij, fill pas seancës, por as ai nuk ka pranuar që të flas në emër të Omer Tene.

    Tene së bashku me të dyshuarit tjerë u arrestuan në muajin nëntor të vitit 2022 dhe nga ajo kohë po qëndrojnë në paraburgim nën dyshimin se kanë mashtruar njerëz me biznesin e “Call Center”.

    Dokumentari i plotë: Krimi me “Call Center”

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark