×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Edhe pse të rregulluara me ligj, të drejtat e gruas kosovare –  larg standardeve të dëshiruara

    Insajderi
    08 March 2018 - 18:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëare të Gruas, në Kolegjin AAB, u mbajt tryeza “Avancimi i pozitës së gruas në shoqërinë kosovare”. Të ftuara për të diskutuar ishin gra – protagoniste dhe bartëse të pozitave të rëndësishme në institucione të ndryshme të Kosovës.

    Përfaqësueset e institucioneve dhe organizatave, vlerësuan se edhe 19 vjet pas luftës, të drejtat e grave po shkilen, pothuajse, në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga shkollimi, punësimi dhe e drejta në vendimarrje.

    Feride Rushiti, Drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, tha se rastet e shpeshta të dhunës ndaj grave kanë përfunduar disa herë edhe me fatalitet. Ajo tha se shumë herë këto raste kanë përfunduar duke mos pasur trajtimin e duhur nga organet shtetërore.

    Ndërsa prof. Mybera Mustafa gjatë këtij takimi përmendi disa faktorë që kontribuojnë në mosrespektimin e të drejtave të grave në Kosovë: “Të drejtat e grave në Kosovë njihen vetëm në bazë ligjore. Në praktikë, ato nuk respektohen dhe janë shumë larg standardeve ndërkombëtare. Në mesin e ligjeve të cilat janë shumë pozitive, është edhe Ligji për Barazi Gjinore, i cili nënkupton dhënien e mundësive të barabarta për të dy gjinitë. Disa prej faktorëve që në Kosovë nuk respektohen të drejtat e barabarta janë: mosrespektimi i ligjit, trajtimi jo i barabartë i të dy gjinive, manipulimi me vota, mentaliteti patriarkal… etj”, tha znj.Mustafa.

    Kontribut në këtë tryezë dhanë edhe përfaqësusese të organizatave të tjera, që veprojnë në Kosovë, ndërsa ndër to edhe artiste të njohura si  Leze Qena, Safete Rugova.

    Në Kosovë llogaritet se më shumë se gjysmën e popullatës së përgjithshme e përbën gjinia femërore. Zbatimi i ligjit për të drejtat e tyre mbetet çështje problematike, në mungesë të një mekanizmi që do të mbikqyrte këtë proces.

    Tryeza e sotme për nder të 8 Marsit, u organizua me angazhimin e Fakultetit të Gjuhës Angleze, e kontribut të veçantë në këtë organizim dha dekanja Venera Llunji.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark