Edicioni 2022/2023 në hendbollin kosovar do të fillojë më 17 e 18 shtator. Është ky një prej vendimeve që mori Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të enjten.
Bordi ka zhvilluar punimet nën udhëheqjen e presidentit Eugen Saraçini.
Bordi ka zgjedhur edhe komesarin e ri të garave. Këtë detyrë me përgjegjësi ia ka besuar Isak Osmanit, ish-gjyqtar dhe vëzhgues shumëvjeçar.
Bordi e ka falënderuar Istref Sadriun për punën 4-vjeçare si komesar i garave. Bordi i FHK-së ka vlerësuar edicionin 2021/2022 si të suksesshëm. Gjatë edicionit të kaluar janë zhvilluar plot 803 ndeshje.
Bordi ka vendosur po ashtu që propozicionet e garave për edicionin e ardhshëm garues t’u dërgohen klubeve për shqyrtim. Klubet kanë kohë që deri më 1 gusht të bëjnë sugjerime dhe të japin vërejtjet eventuale.