Mollët janë njëra ndër frutat më të mirë për shëndetin tonë. Por në pjesën më të madhe të rasteve ne i konsumojmë ato pa lëvore, më shumë për çështje higjienike.
Jemi mësuar gjithmonë ta hedhim lëvoren e tyre pa menduar asnjëherë për faktin se ajo mund të përdoret për diçka tjetër në shtëpi dhe veçanërisht në kuzhinë.
Insajderi ju sjell disa ide se përveç konsumimit, se për çka tjetër shërben lëkura e mollës.
Pleh kopshti-Kushdo që ka një kopsht të vogël ose një improvizim të tij në tarracë, lëkurat e mollëve mund t’i riciklojë në mënyrë shumë efikase. Mjafton t’i përzieni me mbetje të tjera organike për të përfituar një lloj “plehu shtëpiak” për ta përhapur mbi tokë. Në pak kohë, farat e bimëve ose të luleve të ndryshme do të fillojnë të lulëzojnë.
Ekstrakt dhe çaj– Ata që i dashurojnë ekstraktet dhe çajet mund t’i realizojnë edhe në shtëpi me produkte 100% natyrale. Për shembull, lëkura e mollës nëse përzihet me ujë të nxehtë, i jep “jetë” një çaji të mrekullueshëm për nga shija.
Pastruese enësh– Lëkurat e mollës përmbajnë acide të cilat janë të afta për të larguar njollat e vështira nga enë të ndryshme. Sekreti është që mbulesën e frutës ta zieni për 30 minuta në ujë dhe më pas me të lani sipërfaqet e papastra: në fund të “operacionit” gjithçka do të shkëlqej.
Ëmbëlsira të bëra në shtëpi- Lëkurat e mollës mund të hahen edhe duke u shtuar në ëmbëlsira të ndryshme apo duke krijuar me to një të tillë. Ato duhen prerë, të futen në një enë me sheqer dhe ujë dhe të lihen në zjarr për disa minuta. Pasi t’i kulloni, rezultati do të jetë i pabesueshëm. Pjesën e trashë të zierë të mollëve mund ta shtoni kur bëni tortë, ndërsa lëngun futeni në frigorifer për ta përdorur si një pije bio./Insajderi.com