Federata e Hendbollit e Kosovës ka shpallur më të mirët e vitit 2021.
Ceremonia “Laureatët e vitit 2021” është mbajtur në Hotel International Prishtina, duke respektuar masat në fuqi.
Fillimisht presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini ka mbajtur një fjalim rasti, në të cilin ka folur për të arriturat e FHK-së gjatë vitit të kaluar. Viti 2021 është vlerësuar i suksesshëm për hendbollin kosovar, përkundër sfidave që ka paraqitur pandemia.
Hendbollistët më të mirë të vitit 2021 janë shpallur Egzon Gjuka dhe Burneta Rama. Përzgjedhja është bërë me votat e trajnerëve të skuadrave të Superligës.
Gjuka me Besa Famgas ka fituar të gjithë trofetë në hendbollin kosovar, ndërsa është paraqitur me plot sukses edhe në Kupën Evropiane. Qendra pejane ishte pjesë e rëndësishme edhe e Kombëtares së Kosovës që kishte një vit të suksesshëm.
Burneta Rama me Vushtrrinë e ka fituar titullin e kampionit. Rama për kohë të gjatë është lidere e Vushtrrisë, që vazhdimisht është prej skuadrave kryesore në vend.
Kapiteni Valon Dedaj është shpallur hendbollisti më i mirë i Kombëtares së Kosovës për vitin 2021. Hendbollistja më e mirë e Kombëtares së Kosovës për herën e dytë rresht u shpall Marigona Hajdari.