Finalja e tretë, trofeu i dytë për këtë vit. Eklent Kaçi triumfoi në UK Open, një nga turnetë më të rëndësishëm të Matchroom Pool, pasi mundi gjermanin Joshua Filler me rezultatin 13-4. Kurbinasi me këtë fitore i afrohet shumë sigurimit të një vendi në Mosconi Cup, ku përballen 5 më të mirët e Europës me të SHBA-ve.
Kaçi ishte fantastik jo vetëm në finale. Bilardisti kurbinas, kampion bote në Disiplinën 10 Ball këtë sezon, mundi 10-6 John Morra në 64 më të mirët, ndërsa më pas u ndesh me Imran Majid. Britanikun e eliminoi me rezultatin 10-7.
Në 16 më të mirët Kaçit iu desh të përballej me Shane Van Boening, amerikanin e njohur, një nga më të mirët në disiplinën 9-ball. Shqiptari kaloi në çerekfinale, pasi fitoi 10-4. Ping Chung Ko, bilardisti nga Taipei, ishte i radhës që u dorëzua para Kaçit me rezultatin 7-10.
Në gjysmëfinale Eklenti u përball me një tjetër amerikan, Skyler Woodward, i cili kishte eliminuar Francisco Sanchez Ruiz, numrin një të botës. Gjithsesi Kaçi tregoi supermacinë e tij dhe triumfoi 11-5, para se të mposhte në finale edhe Joshua Filler./ Super Sport