Ka përfunduar Kuvendi Zgjedhor i FC Prishtinës. Nga ky Kuvend Zgjedhor në pajtim nga gjithë aksionarët është vendosur që të mbahet edhe një Kuvend tjetër, por pas një muaji. Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi ekskluzivisht për Insajderin ka folur për Kuvendin që sapo ka përfunduar dhe investitorët e rinj në klub.
Sot me fillim të orës 13:00 është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i klubit më të madh në Kosovë, FC Prishtina. Në këtë Kuvend pjesëmarrës ishin gjithë aksionarët e klubit, me përjashtim të Afrim Muçicit.
Insajderi ka kontaktuar me presidentin e klubit, Remzi Ejupi, i cili zbuloi emrin e ish-presidentit të vendit, Behgjet Pacollit si ndër të interesuarit për të investuar në klubin kryeqytetas.
“Kuvendi ka përfunduar. Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë. Do të vijnë aksionarë të rinj. Kuvendi shtyhet për rreth një muaj deri sa të rregullohet krejt çështja e mjeteve dhe huazimeve që janë dhënë klubit. Presim të ketë investitorë serioz me potencial të madh. Sot është bërë shikimi i aksioneve dhe dhënie e mjeteve deri më tani, unë kam deklaruar se nuk do të jem më president. Shpejtë do të zgjidhet bordi i ri, pasi që të vinë aksionarët e rinj”.
“Ka të interesuar shumë, është një grup nga Zvicra, është Behgjet Pacolli, ka të interesuar nga qyteti i Prishtinës. Janë tri grupe me potencial shumë të madh, në veçanti nga Zvicra. Por ne po ashtu kemi aksionarë të fortë në klub si Meridiani, Lesna, Beni Dona, unë dhe Rrahman Haradini. Kur të vjen dikush që i sjell 51 për qind të pareve, normal që ka qef që të ketë njerëz të ri” – përfundoi deklaratën Remzi Ejupi për Insajderin.
Nga ky Kuvend është zgjedhor një bord i ri teknik i cili do ta udhëheq klubin deri në mbajtjen e Kuvendit të ardhshëm.
Bordi i ri përbëhet nga: Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu, Ismet Begolli, Rrahman Haradini dhe Hakif Gashi.
Kuvendi i fundit që ishte mbajtur para të sotshmit, ishte ai i janarit të vitit 2017. /Insajderi/