Valmir Veliu është shumë pranë kalimit në elitën e futbollit turk nga KF Llapi. Ylli i skaudrës llapjane gjatë muajit janar do të tentojë të sigurojë lëvizjen e karrierës nëpërmjet agjentit Rahman Kiçe, shkruan Insporti.com.
Gazeta online “Insporti” ka kontaktuar me agjentin Rahman Kiçe, i cili ka konfirmuar interesimin e madh të Trabzonsporit dhe disa klubeve të tjera turke.
Sot, “Insporti” raportoi se klubi i Trabzonsporit tashmë ka filluar negociatat për transferimin e tij dhe po e përgatitin një ofertë në drejtim të Llapit rreth 400 mijë euro.
Megjithatë, Kiçe ka zbuluar se Veliu ishte vetëm “një hap larg” transferimit te kampioni i shumëfishtë turk, Galatasaray.
“Veliu po thuajse e kishte të kryer në Galatasaray por largimi i Fatih Terimit ka ndryshuar gjithçka. Me largimin e Terimit, pista “Veliu – Galatasaray” është shuar. Terim kishte në plan transferimin e Veliut por ja që ai u largua dje për shkak të mos rezultateve këtë edicion”.
Terim të hënën (dje) është larguar nga pozita e trajnerit për shkak të rezultateve të dobëta në kampioantin turk këtë sezon.
Galatasaray pas 20 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani renditet në pozitën e 12-të me 27 pikë, duke qenë totalisht jashtë objektivave për këtë sezon.
Reprezentuesi i Kosovës këtë sezon me Llapin ka zhvilluar 18 ndeshje duke shënuar gjashtë gola dhe asistuar gjashtë herë në BKT Superligën e Kosovës.
Në elitën e futbollit turk, Veliu do të iu bashkohet disa futbollistëve shqiptarë të cilët janë duke bërë karrierë tash e disa vite në Turqi. /Insporti.com/