×
Insajderi

Në këtë kompani dyshohet se u ekzekutuan 2 milionë euro nga Thesari

Insajderi
21 October 2020 - 16:30
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në kompaninë “LDA Group” dyshohet se transferuan mbi 2 milionë eurot e marra ilegalisht nga Thesari i Shtetit, ka mësuar Gazeta Insajderi.

Burime të Insajderit brenda autoriteteve të drejtësisë, kanë bërë të ditur se 2.077.995.90 euro nga Thesari i Shtetit kanë kaluar në llogarinë e kompanisë private “LDA Group”.

Sipas të njëjtave burime, gazeta ka mësuar se pas ekzekutimit në xhirollogarinë e “LDA Group”, mjetet pastaj janë transferuar në disa kompani të tjera.

“LDA Group” është pronë e Valon Shalës, sipas të dhënave publike të cilat figurojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Kompania ka bazën në Komunën e Drenasit, konkretisht në fshatin Llapushnik të kësaj komune.

Bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK, kompania “LDA Group” është regjistruar si biznes më 21 gusht të vitit 2019, raporton Gazeta Insajderi.

Lidhur me këtë skandal, Policia e Kosovës ka arrestuar një person mbrëmjes e së martës, ndërkaq është në vënë në ndjekje të dy personave të tjerë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Policia ka njoftuar sot përmes raportit 24-orësh se është kërkuar bllokimi i llogarive ku dyshohet të jenë transferuar mjetet.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro”, thuhet në raportin e Policisë.

Për transferimin ilegal të mjeteve ka shpalosur sot detaje edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministrja Bajrami ka thënë se kanë ndodhur katër transaksione të dyshimta me vlerë të përgjithshme prej mbi 2 milionë eurove.

“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta të cilat kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit të Kosovës, e cila është pjesë e Ministrisë së Financave dhe rreth 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami.

Udhëheqësja e Ministrisë së Financave ka thënë se “me t’u njoftuar për rastin, menjëherë dje kemi njoftuar organet e drejtësisë”.

“Unë dola këtu për të thënë që ne tanimë kemi gjurmuar të gjitha transaksionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni, i cili është keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bajrami.

Sipas ministres Bajrami, nuk bëhet fjalë për tërheqje të mjeteve në formë “cash”, por në mënyrë elektronike. /GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark