×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Ekskluzive: Prishtina zhbllokon merkaton, largon rastet nga FIFA

    Insajderi
    09 August 2022 - 15:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    FC Prishtina ka zhbllokuar merkaton dhe të gjithë fubtollistët e transferuar janë regjistruar në Federatën e Futbollit të Kosovës, raporton eskluzivisht Insajderi.

    Prishtinës i ishte bllokuar merkaton pasi tre ish-futbollistët, Ardit Hila, Gentian Muca dhe Sabien Lilaj kishin dërguar klubin në FIFA për shkak të obligimeve financiare që klubi kishte ndaj tyre.

    Insajderi me burime pranë klubit raporton se pagesat janë bërë të hënën e kësaj jave dhe se janë regjistruar gjithë futbollistët.

    Mesfushori shqiptar, Ardit Hila, i kontaktuar nga Insajderi ka konfirmuar se Prishtina ka kryer të gjitha obligimet financiare ndaj tij.

    “Po janë kryer obligimet financiare nga klubi i Prishtinës”, ka deklaruar ekskluzivisht Hila për Insajderin.

    Hila, 29-vjeçar, te Prishtina ishte transferuar në verën e vitit 2019 dhe kishte qëndruar për një sezon duke fituar Kupën e Kosovës.

    Ai është paraqitur në  31 (7/13) ndeshje zyrtare në kampionat dhe kupë duke asistuar në gjashtë gola (katër kampionat dhe dy kupë).

    Klubi më i madh në futbollin e Kosovës javën e kaluar është bërë me bord të ri teknik dhe kryetar të ri të bordit.

    Tashmë, Prishtina drejtohet nga Hakif Gashi i cili mori besimin e akisonarëve të klubit për ta drejtuar klubin.

    Gashi ka premtuar se Prishtina do të këndellet financiarisht dhe se do të fillojnë reforma në klub.

    Në tri sezonet e fundit klubi kryeqytetas është ballafaquar me probleme të mëdha financiare.

    Këtë sezon skuadra do të udhëhiqet nga trajneri i njohur, Ismet Munishi, i cili do të jetë i lumtur pasi do të ketë gjithë futbollistët në dispozicion për sezonin e ri të Superligës i cili do të fillojë këtë fundjavë. /Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark