×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    EKSKLUZIVE | Si funksiononte skema e mashtrimit me “Call Center” që çoi në paraburgim 14 persona në Kosovë – Dosja e Prokurorisë

    Insajderi
    12 February 2023 - 20:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të mërkurën e 8 shkurtit, 14 të dyshuarit për mashtrim me “Call Center” u panë duke hyrë në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Seanca, e cila zgjati për orë të tëra ishte e mbyllur për publikun. Të dyshuarit u arrestuan në muajin nëntor të vitit 2022- dhe nga ajo kohë po qëndrojnë në paraburgim nën dyshimin se kanë mashtruar njerëz me biznesin e “Call Center”. InDoks ju sjell detajet ekskluzive të rastit.

    Të arrestuarit janë biznesmeni izraelit, Omer Tene së bashku me të edhe gruaja e tij, Enesa Tene. Pos çiftit, në pranga përfunduan edhe Altin Gashi, Bindi Balidemaj, Artan Ademaj, Lauresa Hoxha, Lirie Gegaj, Dibran Morina, Albion Selmanaj, Ilir Kadishani, Joana Llapi, Kujtim Islamaj, Marigona Pepiqi dhe Vildane Kosumi.

    Në dosjen fillestare të Prokurorisë që e ka siguruar InDoks bëhet me dije se të 14-të dyshohen për veprat penale si “Hyrja në sisteme kompjuterike, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

    Por, si funksiononte krimi me “Call Center”, për të cilin dyshohen të njëjtit, sipas Dosjes?

    Në krye të operacionit ishte biznesmeni izraelit, Omer Tene, pronari i firmës “O.T. Capital”, derisa të tjerët sipas Prokurorisë kanë vepruar si punëtorë të qendrës së thirrjeve  me të njëjtin emër.

    Ata, përmes thirrjeve telefonike duke përdorur softuer kompjuterik, kanë kontaktuar të dëmtuarit nga vende të ndryshme të botës, me të ardhura të larta, të cilët nuk kishin njohuri në fushën e investimeve, e as në teknologji.

    Të njëjtit iu kanë ofruar të dëmtuarve, të konsideruar edhe si viktima, investime në aksione, para virtuale, forex etj., duke i udhëzuar që të investojnë në ueb faqen të cilën të pandehurit e kanë krijuar vet dhe në të cilën manipulojnë me vlerën e tyre, pretendon Prokuroria.

    Dosja vazhdon duke sqaruar se më pas, viktimat i udhëzojnë që në kompjuter të instalojnë softver për qasje nga distanca për “ndërmjetësues” për të bërë më shpejt investimin, ndërsa në fund të hollat nga viktima kanë shkuar në xhirollogaritë të bizneseve të ndryshme fiktive, e nga aty në llogari të biznesit “O.T. Capital LL.C”- pronë e izraelitit Omer Tene.

    InDoks ka tentuar që të marrë prononcim edhe nga avokati i tij, fill pas seancës, por as ai nuk ka pranuar që të flas në emër të Omer Tene.

    Ndërkohë, në biseda private, edhe familjarët e edhe avokatet e të dyshuarve ishin të bindur që shumica prej atyre që po mbahen në paraburgim për këtë rast janë të pafajshëm- thjeshtë punëtorë, por nuk pranonin që ta thonin të njëjtën në kamerë. Por, përtej pretendimeve të tyre, cilat janë pretendimet e Prokurorisë Speciale? InDoks edhe për këtë rast ka bërë kërkesë që të intervistojë prokuroren e rastit, por Prokuroria Speciale nuk ka pranuar që të e thotë asnjë fjalë, madje as me shkrim.

    Në anën tjetër, Dosja e Prokurorisë Speciale që e ka InDoks vazhdon duke sqaruar se si funksiononte tutje kjo skemë e dyshimtë mashtrimi.

    Sipas këtyre dokumenteve, viktima Beckenmeyer nga Gjermania, duke besuar që po investon në para virtuale bitcoin, ka bërë pesë transfere të parave në shumë të përgjithshme prej 71 mijë e 250 euro në disa llogari të ndryshme hungareze dhe lituaneze.

    Me 10 maj të 2021 e ka transferuar shumën prej 38 mijë e 900 euro në llogari të firmës “Vegatek Green Trade KFT”, por të njëjtën ditë të hollat janë transferuar në llogarinë e kompanisë “O.T. Capital L.L.C”.

    Këto veprimtari kriminale të pandehurit i kanë zhvilluar në vende të ndryshme të Evropës, por nuk janë ndalur vetëm në këtë kontinent. Prokuroria pretendon se ka prova se kjo skemë ka shkuar edhe në kontinent të Australisë e deri në Kanada.

    Jo vetëm Prokuroria, por edhe vet Gjykata kishte konstatuar se duke qenë se këta persona njohin gjuhë të huaja, dhe njohin punën me kompjuter, nuk mund të lihen të lirë- kjo pasi që Gjykata druan që ata në këtë gjendje mund të shkatërronin provat që Prokurorisë i duhen për këtë rast.

    Gjykata tutje konstaton se dënimi me të cilin ata mund të përballën në fund është i madh, dhe do të ishte motiv edhe për arratisje.

    Në Kosovë autoritet nuk kanë publikuar pamje gjatë operacionit të tyre të fundit kundër krimit me “Call Center”.

    Dokumentari i plotë: Krimi me “Call Center”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark