×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Eksperti britantik: Vuçiq ta kuptojë se njohja e Kosovës nuk është kompromis por njohje e realitetit

    Insajderi
    01 February 2023 - 10:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aleksandar Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e Kosovës nuk është çështje kompromisi por çështje e pranimit të realitetit, ka thënë eksperti britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare, Daniel Smith, raporton Insajderi.

    Smith tha se për Serbinë kompromis do të ishte për shembull “njohja e pavarësisë së Vojvodinës” e jo njohja e një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

    Në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”, Smith u shpreh se elita politike serbe ende nuk e ka bërë shkëputjen nga regjimi i Sllobodan Millosheviqin.

    “Nuk është fshehtësi që Vuçiq çështjen me Kosovën e përdor për t’ju ikur problemeve të përditshme me të cilat përballen qytetarët serbë, jetët e të cilëve ditë e më shumë po rëndohen për shkak të politikës autoritare të Vuçiq dhe krizës ekonomike”, tha ai.

    “Vuçiq dhe elitat politike në Serbi nuk janë shkëputur nga mentaliteti i Millosheviqit, e kanë helmuar opinionin publik me tema nacionaliste, urrejtje për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”.

    Pyetur nga mediumi se a beson se mund të jetë e lehtë për Serbinë një marrëveshje me Kosovën, Smith thotë se është e vështirë për Vuçiqin, “sepse e mban atë në pushtet”.

    “Përmes strategjisë ‘përshkallëzo për të depërshkallëzuar’, Vuçiq provon të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, në mënyrë që të përfitojë edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja”.

    “Si rrjedhojë, deri kur të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë, Vuçiq edhe njëherë do të provokojë tensione që seriozisht kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, përcjell Insajderi.

    Smith thotë se “njohja e pavarësisë së Vojvodinës” do të ishte kompromis, e jo pranimi i vendimin të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, kërkesë kjo të cilën e kishte dërguar vetë Serbia.

    Eksperti ndërkombëtar pati edhe një apel ndaj perëndimorëve, për çka tha se ata duhet të kuptojnë se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë, karakterin unitar dhe multi-etnik të saj”./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark