×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Eksperti thotë se dëmtimi i mëlçisë ishte vdekjeprurës për të ndjerin që kishte katër plagë nga thika

    Insajderi
    06 October 2023 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Eksperti mjekoligjor Arsim Gerxhaliu ka thënë se dëmtimi i mëlçisë ishte plaga vdekjeprurëse për të ndjerin V.Xh e cila e kishte sjell deri te gjakderdhja masive.

    Këtë konstatim Gerxhaliu e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Shkumbin Kryeziu akuzohet për vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Sipas Gerxhaliut i ndjeri V.Xh kishte pasur katër plagë të shkaktuara nga një mjet që posedonte maje apo tehe.

    “I ndjeri ka pas 4 plagë të shkaktuara nga mjeti që ne e definojmë me termin mjet që posedon maje dhe teh apo tehe”, tha eskperti mjekoligjor Gerxhaliu.

    Gerxhaliu ka thënë se mëlçia i ishte dëmtuar 23 milimetra.

    Ndërsa në pyetjet e prokurores Besa Limani, eksperti mjekoligjor Gerxhaliu tha se organi kyç i sulmuar ishte mëlçia nga edhe e cila i ishin shkaktuar plagët vdekjeprurëse.

    “Organi kyç vital i atakuar është mëlçia e cila faktikisht është edhe shkaktar i vdekjes për shkak të gjakderdhjes masive e cila ka sjell deri tek shoku hemorragjik”, tha Gerxhaliu.

    I pandehuri Kryeziu po akuzohet se së bashku me të miturin A.K pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me të ndjerin V.Xh, me dashje që ta privojë nga jeta në oborrin e shkollës në Hajvali e kishin therur me thika në trup e që si pasojë e plagëve të marra V.Xh., kishte ndërruar jetë në QKUK.

    Eksperti Gërxhaliu tha se sipas autopsisë i ndjeri në anën e djathtë të kafazit të kraharorit kishte dëmtime të lëkurës, ku më pas të njëjtat kishin vazhduar edhe në brendësi të kafazit të kraharorit.

    “Edhe pika 4, në anën e djathtë të kafazit të kraharorit ku kemi do të thotë dëmtimin e lëkurës me buzë dhe kënde të rregullta me përmasa 15 here 10 milimetra, dëmtimi vazhdon në brendësi të kafazit të kraharorit në mes të brinjës shtatë dhe tetë”, tha eksperti mjekoligjor Gerxhali.

    Ndër të tjera eksperti mjekoligjor Gerxhaliu tha se nuk mund të thoshte me besueshmëri të lartë nëse plagët ishin shkaktuar nga një thikë apo dy thika.

    “Bazuar në plagët nuk mundemi të themi me besueshmëri të lartë se a kanë qenë vetëm  1 apo 2 thika, nuk e mohojmë as njërën e as tjetrën pse plagët janë të shkapërderdhura dhe nuk jon për shembull nga përvoja sikur e dim në grupacion”, tha Gerxhaliu

    I njëjti shtoi se në shumicën e plagëve ishte përdorur vetëm tehu që sipas tij jepte vetëm prerje.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të të akuzuarit Kryeziu, Florent Latifaj, i njëjti tha se plaga në krahun e majtë përfshinte vetëm lëkurën, dhe muskulin regjional.

    “Plaga në krahun e majtë, e cila, përfshin vetëm lëkurën indin nën lëkuror dhe muskulin regjional kjo është plagë prerëse të shkuar në pikën 1 të përshkruar në raportin e autopsisë”, tha eksperti mjekoligjor Gerxhaliu.

    Kurse në pyetjet e mbrojtësit të viktimave Visar Ahmetxhekaj i njëjti tha se kur një person pason shumë gjakderdhje nuk shkaktohet menjëherë ftohja e organizmit sepse i njëjti ka aftësi që ta ruajë temperaturë deri në 3 orë.

    Ndërsa në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Kushtrimi Shyti i njëjti tha po ashtu se nuk mund të thoshte se nuk mund as ta mohonte e as ta pohonte se a kanë qenë një apo dy apo më shumë thika që kanë shkaktuar plagët.

    Kurse në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi i njëjti tha se ishte e mundshme që të ndjerin ta kenë goditur më shumë se një apo dy persona por besueshmërisë nuk mund ta falte lidhur me këtë çështje.

    Tutje prokurorja Limani tha se duke u thirrur në mendimin e ekspertit profesional dhe propozimin e të njëjtit, shtoi se si prokurori propozojnë që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes me arsye të ndriçimit të rrethanave sa i përket mënyrës se si i ishin shkaktuar plagët të ndjerit V.Xh dhe numrit e personave që kishin marr pjesë në shkaktimin e të njëjtave.

    Një propozim nuk u kundërshtua as nga mbrojtësi i viktimave, pala e dëmtuar e as nga avokati Latifaj e më pas i njëjti u aprovua nga gjykatës Shyti.

    Po ashtu në këtë seancë edhe avokati Latifaj i propozoi gjykatës që për të mbrojturin e tij, të akuzuarin Kryeziu të bëhet ekzaminim lidhur me atë që të konstatohet zhvillimit psikologjik dhe fizik pasi që i njëjti në momentin e kryerjes së veprës penale kishte qenë madhor i ri.

    Në propozim i tillë u kundërshtua nga prokurorja Limani, dhe nga mbrojtësi i viktimave dhe pala e dëmtuar i cili, por i njëjti më pas po ashtu u aprovua nga trupi gjykues.

    Në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës ku pritet të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes do të bëhet më 30 nëntor 2023.

    Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.

    Sipas aktakuzës së ngritur me 29 dhjetor të vitit 2022, thuhet se me 10 dhjetor 2021, rreth orës  21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, dyshohet se i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rënd dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

    Sipas aktakuzës  pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh, në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre duke i rënë rrugës më të shkurtë në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku te oborri i shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh me falët “çka po më kqyr”.

    Ndërsa tani i ndjeri V.Xh ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metra, dhe të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh “ik se ka thikë” dhe në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin A.K e kanë ndjekur tani të ndjerin V. me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli, ku i njëjti është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin me të miturin A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V. që të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.XH me dashje që ta privojë nga jeta.

    Tutje sipas aktakuzës  i pandehuri Shkumbi  dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V. mirëpo ata kanë vazhduar që ta ndjekin dhe derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh i pandehuri dhe i mitur i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim duke i thënë “Ik  se ta bajna ma zi se atina”.

    Sipas aktakuzës dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V. i cili në ato momente ishte ende duke ikur kur përnjëherë ishte rrëzuar për toke dhe ka qenë i tërë i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën” e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë , ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.

    Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu ne bashkëkryerje me të miturin A.K ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë , në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrim “Leatherman Sidekick” të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si ne dispozitivin nën 1 të aktakuzës dhe të cilën policia e kanë gjetur dhe sekuestruar nga pandehuri Shkumbin Kryeziu. gjate arrestimit te tij.

    Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu, ka kryer veprën penale Mbajtje në pronësi kontroll dhe posedim të paautorizuar të armeve nga neni 366 par. 1 të KPRK –Së./BetimipërDrejtësi

    Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark