Stela Sallaku
Vëmendja e vajzave fashioniste së fundmi ka kaluar tek “Emily in Paris”, seriali më i fundit i Netflix. Është aq infektues, sa unë i kam parë për dy ditë të 10-ta seritë. Po kush është Emily? Emily nuk punon në Vogue, edhe pse gardëroba e saj duket sikur ka dalë nga revistat e modës. Ajo ka studiuar Marketing dhe punon në një kompani të madhe reklamuese të firmave të luksit në Chicago.
Filiali i vogël i së njëjtës firmë, është pikërisht në Paris. Shefja e Emily udhëzohet të shkojë në Paris, por e refuzon vajtjen duke caktuar Emily-n të shkojë në vend të saj. E kush do e refuzonte Parisin në fund të fundit!
E dashuruar pas qytetit historik dhe fashionist, Emily (Lily Collins), mezi pret të fillojë jetën e re në Francë. Por Parisi nuk është aq miqësor me dikë që nuk di gjuhën. Jo vetëm kaq, por as kolegët e zyrës nuk duken aspak të kënaqur nga ardhja e Emily në zyrë.
Emily ka një veshje të re për çdo ditë, aksesorë Chanel, kostume dhe fustane nga Ganni, Fendi, Versace etj. Çdo look është për t’u fotografuar, pa përmendur kafenetë e shtrenjta, restorantet luksoze të Parisit, ku ajo duket se shpenzon shumicën e kohës. Që nga pallto jeshile, kapelja rozë Versace, xhupi me print lulesh, xhaketa me kuadrate që vesh tek fundjava me mikeshën e saj, e plot të tjera.
Edhe kolegët e saj janë mjaft sqimatarë, por jo aq të guximshëm në zgjedhjen e gardërobës. Shefja e saj preferon look-un klasik parizjen, me veshje të zeza, dekolte ekstravagante dhe pamje “effortless”.
Gardëroba e Emily frymëzon gjithkënd të dalë nga zona e komfortit, tek ato kostumet e mërzitshme që jemi mësuar t’i shohim nëpër punët e zyrës. Pse të mos i japim tone të tjera përditshmërisë tonë? Edhe pse nuk jetojmë në Paris, nuk është e thënë të mos dukemi sikur kemi dalë nga revistat, apo jo?