Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, iu ka ikur rrugëve ligjore për t’ua mbushur xhepat me para – si fillim dostit të tij, Bujar Shabanit – e më pas “bosëve” të tjerë të tenderëve si Hektor Beqiri, Florent Emini e Fatlum Pireva. Këtë e ka konfirmuar Gjykata e Tenderëve. Në versionin e tyre thuhet se OSHP-ja ka qenë duke e trajtuar një ankesë të një kompanie, kur ministria e Durmishit është nxituar të nënshkruajë kontrata milionëshe me të apostrofuarit, duke vepruar kundërligjshëm.
“OSHP konform kompetencave ju njofton se për aktivitetin e prokurimit me titull: : Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë – Besi – Podujevë, Loti 0, 1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5, iniciuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, OSHP-ja, për aktivitetin e prokurimit ne fjale, me date 16.06.2023 ka pranuar ankese te cilën OSHP e ka kualifikuar si të plotë dhe për ankesën me numër te protokollit 2023/397, sipas dispozitave te nenit 113 dhe 114 e ka autorizuar ekspertin shqyrtues për shqyrtimin e pretendimeve ankimore”, u tha në përgjigjen e OSHP-së për Periskopin.
“OSHP ju njofton se bazuar ne nenin 112 të LPP-së, Efekti pezullues i ankesave përveç nëse paneli përkatës shqyrtues nxjerr një vendim tjetër me shkrim dhe përderisa ta nxjerrë këtë vendim, dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë”, shtoi tutje OSHP’ja.
Për këtë veprim të ngutshëm për dhënie kontratash ndaj mikut të tij dhe të tjerëve, Hysen Durmishi nesër do të paraqitet në Prokurorinë Speciale për intervistim.
Para disa ditëve, ministria e Infrastrukturës ka lidhur pesë kontrata më këto kompani për projektin “Zgjerimi i rrugës Nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë”:
Për lot 0 është rekomanduar Grupi Operatoreve Ekonomik: “Pro& Co Group” Shpk; “Levantia Ingenieria Y Construccion sl” në vlerë prej 6. 484, 854, 58 euro.
Për lot 1, Grupi Operatorëve Ekonomik “2 A Group” Shpk; “Vega” shpk, në vlerë prej 8, 447, 477.70 euro.
Për lot, 2 Grupi Operatorëve Ekonomik “Bujar Shabani B.I” ; “Kosova Asfalt” Shpk’; “Bageri-1” Shpk; “El-Bau” Shpk, në vlerë prej 8, 644, 259.75 euro.
Për lot 3 Grupi Operatorëve Ekonomik “Agbes Construksion” Shpk; “Arbotec”. Shpk; “Geo Construction” Shpk; “Mineral L.L. C”; “MB Group” Shpk, në vlerë prej 9, 254, 811. 42 euro.
Për lot 5 Grupi Operatorëve Ekonomik “Beni- Com” Shpk; “Saba Belca” -Dega në Kosovë; “Sherif” Shpk, në vlerë prej 1, 443, 784. 50 euro.
Problemet me ligjin, nepotizmi- kush janë “bosët” e tenderëve që e ngutën Hysen Durmishin?
As Bujar Shabani e as Hysen Durmishi s’i kanë mohuar asnjëherë raportet miqësore që kanë ndërmjet vete. Shabani, pronar i “Bageri”-t dhe “Kosova Asfalt” që ka përfituar kontratë të dyshimtë prej 8,6 milionë eurosh për lotin 2 të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, ka aktakuzë. Akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. Shoku i Durmishit rrezikon të dënohet deri në pesë vite për mashtrimet me procedurat tenderuese.
Gazeta Insajderi në korrik të 2022-ës ekskluzivisht solli deklaratat e inxhinierit dhe gjeodetes, të cilët ishin cak i mashtrimit të biznesmenit, Shabani. Ai dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit.
Dosja kundër Shabanit është ende më e trashë. Jo vetëm tenderi prej 4.7 milionësh, por i njëjti dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër “Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.
Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro. Por që këtë tender nuk kishte arritur ta fitonte.
Biznesmeni Shabani dyshohet se ka mashtruar inxhinierin Arben Vranovci që jeton në Norvegji, diplomën e të cilit e kishte përdorur për konkurime në tenderë, fillimisht pa marrëveshje kontraktuale e pastaj edhe me nënshkrim marrëveshje, gjë për të cilën inxhinieri nuk ishte kontaktuar asnjëherë. Inxhinieri Vranovci kur ka kuptuar diploma e tij po shfrytëzohet tinëz kishte denoncuar rastin në prokurori.
Shabani dyshohet se ka mashtruar edhe gjeodeten Violeta Aliu Bislimi, licencën e së cilës e kishte përdorur jashtëligjshëm pasi kjo e fundit ishte punësuar në komunën e Ferizajt, dhe licenca është jovalide nëse personi punon në një institucion publik.
Në anën tjetër afaristi Fatlum Pireva i “El Bau”-t, që është pjesë e konserciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë bashkë me firmën e Shabanit, ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim. Fatlum Pireva së bashku me Suad Pirevën dhe Muhadin Zukën dyshohet si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.
Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.
Sipas gjykatës, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.
Pireva dhe Shabani vjet kanë fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.
Rruga “Lah Nimani” ka një gjatësi vetëm 394 metra ndërsa investimit kap vlerën e mbi 890 mijë eurove.
Bazuar në kontratë shihej se manipulimi me çmime ka ndodhur në të paktën tri pozicione. Tek pjesa e incizimit gjeodezik që do të kushtojë 92.609 euro. Sipas kontratës së nënshkruar për 394 metra gjatësi rrugore, komuna do të paguajë mbi 92 mijë euro, punë e cila mund të kryhet me aparatura të një zyre modeste gjeodezike.
Për shënim gjeodezik gjatë punëve paraprake u parapanë të paguhen 15.389 euro.
Tutje, në kontratën e nënshkruar nga komuna e Mitrovicës dhe operatorët ekonomik u parapa që fiksimi i pikave kontrolluese gjeodezike për ndërtimin e kanalizimit fekal të kushtojë 39 mijë euro.
Shpenzime marramendëse të matjeve gjeodezike për këtë rrugë më të shkurtër se 400 metra nuk përfundojnë me kaq, pasi që ‘qershia mbi tortë’ parashihet edhe në një pozicion tjetër për matje gjeodezike, nga i cili është paraparë t’i paguhen operatorit ekonomik 38 mijë e 220 euro e që në përshkrim të tij shihet se është pozicion i njëjtë i emërtuar sikur pozicioni prej 39 mijë euro.
Komuna e Mitrovicës në bazë të kontratës, paguajti dy herë për pozicionin e fiksimit të pikave kontrolluese gjeodezike për ndërtimin e kanalizimit fekal në rrugën “Lah Nimani”.
Emër jo pak i njohur është edhe ai i biznesmenit Florent Emini, pronar i “Geo Map”. Kallxo.com kishte raportuar vjet se si Emini dhe bashkëshortja e tij, Armenda Beqiraj, në pronësi të “Pro & Co Group SHPK” – firmë kjo që është paraparë të punojë në lotin 0 të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, kishin marrë disa kontrata nga Komuna e Vitisë, duke lënë dyshime për “njoftësi”.
Në vitin 2019, kompania “Geo Map” kishte nënshkruar kontratën me dy llote për ‘hartim të projekteve investive’, në vlerë totale prej 52,729.5 euro. Në atë kohë, Fatbardha Emini, motra e Florent Eminit, i cili është pronar i kompanisë “Geo Map”, ishte drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, që udhëhiqet nga Sokol Haliti i LDK-së.
Po ashtu, për hartim të projekteve në vitin 2021 edhe kompania “NEWS Sh.P.K” kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 184 mijë euro, ku çmimi për njësi ishte 0.49 euro, kompania “NEWS” në kontratën e vitin 2023 ka ofertuar si konsorcium me kompaninë e Florent Eminit.
Sipas raportit të kontratave të nënshkruara nga Komuna e Vitisë për vitin fiskal 2022, kompania “Pro & Co Group SH.P.K” ka fituar katër kontrata nga Komuna e Vitisë në vlerë të përbashkët prej 2,923,488 euro, nga gjithsej 17 kontrata me vlerë 6,431,988.15 euro që i kishte nënshkruar komuna në vitin 2022. Pra, kompania “Pro & Co Group SH.P.K”, i ka fituar 45% të vlerës së kontratave publike për punë.
Në vitin 2021, “Pro & Co Group Sh.P.K” nga kjo komunë ka fituar vetëm një kontratë me vlerë 820,153.13 euro, nga gjithsej 11 kontrata me vlerë 2,050,116.98, apo 40% vlerës së kontratave publike për punë të inicuara nga Komuna e Vitisë.
Florent Emini, pronari i kompanisë “Geo Map” është vëllai i ish-zëvendësministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini Halabaku. Ajo ishte edhe drejtoreshë e Arsimit dhe drejtoreshë e Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë në Komunën e Vitisë.
Hektor Beqiri, pronar i firmës “Arbotec”, siguroi një kontratë milionëshe nga Hysen Durmishi. Ky i fundit i kishte dalë në mbrojtje Beqirit kur kompania e tij dyshohej se kishte vjedhur zhavorr për realizimin e punëve në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë. Keqpërdorimet i kishin denoncuar inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Për këtë Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht në tetor të 2023-ës.
“Ai (inspektorati) ka rrejt. Kaa rreejt. Kanë thënë se është zënë t’u vjedh zhavorr. Nëse është zënë duke vjedhur zhavorr le ta denojnë. Nuk është punë e jemja e as e pjesës së Infrastrukturës me u marr ku është tu eksploatu ai material. Ne e kontrollojmë çdo materjal që ai (Arbotec) e sjell në punishte dhe në punishte nuk kemi asi pozicioni. Kemi material 0.50 të gurthyesit”, tha ai duke shtuar se “ndoshta e kanë marrë materialin dhe e kanë dërguar diku tjetër por në trase nuk e ka përdor”, deklaroi Durmishi për Insajderin.
Rastin e kishte konfirmuar edhe KPMM për Gazetën duke thënë se rasti është lajmëruar në Prokurori të Shtetit dhe të gjitha provat janë dorëzuar organeve kompetente.
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka theksuar për Insajderin se dy Ekskavatorët që ishin shpallur të sekuestruar nga Inspektorët janë liruar nga Prokuroria e Shtetit.
Prokuroria e Shtetit tash e gati një vit ende s’ka njoftuar se ka filluar ndonjë hetim ndaj kompanisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë inaugurimit të punimeve pati premtuar cilësi në shtrimin e kësaj rruge. /Insajderi.org/