×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Komuna e Mitrovicës i jep tender dy biznesmenëve të akuzuar për mashtrim, raportohet për shkelje ligjore

    Insajderi
    23 February 2023 - 19:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Mitrovicës u ka dhënë tenderë për asfaltim të një rrugë dy biznesmenëve të akuzuar për mashtrim. Bujar Shabanit e Fatlum Pirevës. Komuna që udhëhiqet nga Bedri Hamza ka kontraktuar operatorët ekonomik “Kosova Asfalt Sh.P.K” nën pronësi të Shabanit dhe “El-Bau Sh.P.K”, nën pronësi të Pirevës për ndërtimi e  rrugës “Lah Nimani” në Mitrovicë. Kontratë kjo që kap vlerën e afro gjysmë milioni (892.453 euro). Për më tepër vërehet se ka shkelje ligjore mbi këtë kontratë, shkruan Insajderi.

    Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.

    Rruga “Lah Nimani” ka një gjatësi vetëm 394 metra ndërsa investimit kap vlerën e mbi 890 mijë eurove.

    Bazuar në kontratë e siguruar nga “Veriu Info” shihet se manipulimi me çmime ka ndodhur në të paktën tri pozicione. Tek pjesa e incizimit gjeodezik që do të kushtojë 92.609 euro. Sipas kontratës së nënshkruar për 394 metra gjatësi rrugore, komuna do të paguajë mbi 92 mijë euro, punë e cila mund të kryhet me aparatura të një zyre modeste gjeodezike.

    Për shënim gjeodezik gjatë punëve paraprake janë paraparë të paguhen 15.389 euro.

    Tutje, në kontratën e nënshkruar nga komuna e Mitrovicës dhe operatorët ekonomik është paraparë që fiksimi i pikave kontrolluese gjeodezike për ndërtimin e kanalizimit fekal të kushtoj 39 mijë euro.

    Shpenzime marramendëse të matjeve gjeodezike për këtë rrugë më të shkurtër se 400 metra, nuk përfundojnë me kaq, pasi që ‘qershia mbi tortë’ parashihet edhe në një pozicion tjetër për matje gjeodezike, nga i cili është paraparë t’i paguhen operatorit ekonomik 38 mijë e 220 euro e që në përshkrim të tij shihet se është pozicion i njëjtë i emërtuar sikur pozicioni prej 39 mijë euro. 

    Komuna e Mitrovicës në bazë të kontratës, do të paguaj dy herë për pozicionin e fiksimit të pikave kontrolluese gjeodezike për ndërtimin e kanalizimit fekal në rrugën “Lah Nimani”.

    Kontrata është nënshkruar me 24 nëntor të vitit të kaluar dhe pritet të përfundojë në vitin 2024.

    Kush janë Bujar Shabani e Fatlum Pireva me të cilët Komuna e Mitrovicës ka lidhur kontratë?

    Bujar Shabani, pronari i “Kosova Asfalt” akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. Shabani i cili njëherit është edhe shok i afërt me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hyseni Durmishi do të përballët me gjykatën. Ai rrezikon të dënohet deri në pesë vite për mashtrimet me procedurat tenderuese.

    Gazeta Insajderi në korrik të 2022-ës ekskluzivisht solli deklaratat e inixhinierti dhe gjeodetes, të cilët ishin cak i mashtrimit të biznesmenit, Shabani. Ai, dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit. Gazeta Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të këtij rasti të mashtrimit, dhe të martën ka raportuar lidhur me aktakuzën.

    Në aktakuzë të cilën e posedon Insajderi, janë përfshirë dy tendere publike në të cilat mori pjesë biznesmeni Shabani me kompaninë e tij “Bageri”.

    Në përurimin e njërit prej projekteve Shabani madje kishte marrë pjesë bashkë me shokun e tij, Hysen Durmishin.

    Dyshohet se rruga e përuruar më 4 shtator të vitit 2020, ku i pranishëm ishte edhe Durmishi, ka pas vetes një histori të madhe mashtrimi.

    Dosja kundër Shabanit është ende më e trashë. Jo vetëm tenderi prej 4.7 milionësh, por i njëjti dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër “Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.

    Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro. Por që këtë tender nuk kishte arritur ta fitonte.

    Biznesmeni Shabani dyshohet se ka mashtruar inxhinierin Arben Vranovci që jeton në Norvegji, diplomën e të cilit e kishte përdorur për konkurime në tenderë, fillimisht pa marrëveshje kontraktuale e pastaj edhe me nënshkrim marrëveshje, gjë për të cilën inxhinieri nuk ishte kontaktuar asnjëherë. Inxhinieri Vranovci kur ka kuptuar diploma e tij po shfrytëzohet tinëz kishte denoncuar rastin në prokurori.

    Shabani dyshohet se ka mashtruar edhe gjeodeten Violeta Aliu Bislimi, licencën e së cilës e kishte përdorur jashtëligjshëm pasi kjo e fundit ishte punësuar në komunën e Ferizajt, dhe licenca është jovalide nëse personi punon në një institucion publik.

    Detajet e aktakuzës i gjeni KËTU.

    Për çka e akuzon drejtësia biznesmenin nga Gjilani, Fatlum Pireva?

    Pronari i “El Bau Sh.P.K”, Fatlum Pireva ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim. Fatlum Pireva së bashku me Suad Pirevën dhe Muhadin Zukën dyshohet si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.

    Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.

    Sipas gjykatës, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark