Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë ndarjen e çmimit “YLLI I JAVËS”, për lojtarin më të mirë të xhiros.
“YLLI I JAVËS” për xhiron e 31-të në #BKTSuperligë është shpallur futbollisti i FC Ballkani, Ermal Krasniqi.
Për 24-vjeçarin e portokallezinjve nga Suhareka, kjo është hera e tretë brenda këtij edicioni që e fiton këtë çmim, por hera e parë në stinorin pranveror. Ai ishte shpallur më i miri edhe në xhiron e 2-të dhe në xhiron e 11-të.
Krasniqi ishte ndër lojtarët më të mirë të këtij edicioni dhe një paraqitje mbresëlënëse e pati edhe në ndeshjen e javës së 31-të në fitoren kundër Dritës, me rezultat 3:2.
Ai ishte kreator i golit të parë si dhe realizator i golit të tretë, në minutat shtesë, duke qenë përcaktues në arkëtimin e tre pikëve të reja, të cilat e kanë afruar Ballkanin te titulli i parë i kampionit.
Çmimin “Ylli i javës” për sulmuesin e Ballkanit e ndau Artan Cecelia, menaxher i departamentit të shitjes përmes tregtarëve në BKT. /insajderi/