Ernest Muçi bëhet padyshim protagonisti i mbrëmjes në Conference League, pasi ia doli të shënojë dy herë në ndeshjen e parë në grup mes Legias së Varshavës dhe Aston Villës, duke u dhënë fitoren 3-2 polakëve.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte i papërmbajtshëm me shpërthimet e tij, teksa përveç dy golave, u shndërrua në një rrezik konstant për mbrojtjen e angleze dhe portierin Dibu Martinez.
Ernest Muçi shënoi golin e dytë të Legias, kur rezultati ishte barazim 1-1, pasi shfrytëzoi një pasim të saktë në zonë dhe devijoi topin në rrjetën e portës së Martinez. Në fillim të pjesës së dytë, sulmuesi kuqezi bëri një tjetër shpërthim spektakolar, kur rezultatin ishte 2-2 dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin sërish Legias.
GOLAT 👇
Sulmuesi shqiptar u zëvendësua në minutën e 72-të, pasi kishte dhënë gjithçka, teksa për shumë sekonda tifozët polakë thirrën në kor emrin e Ernest Muçit, beniaminit të tyre të ri.
E nisi nga stoli shqiptari tjetër i Legias, Jurgen Celhaka, i cili zbriti në fushë në minutat e fundit dhe dha kontributin e tij për të ruajtur fitoren e Legias.