×
  • Lajme
  • Lajme

    Erzen Breçani me diga HEC-esh dhe mbi 50 milionë euro para publike përmes vëllait, si i përzieu paratë e drogës me taksat e shqiptarëve

    Insajderi
    23 November 2023 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I shërbente Sali Berishës, shfaqej si opinionist i pavarur në studio televizive, dyshohet se pastronte paratë e drogës, por Erzen Breçani kishte futur edhe dorën në buxhetin e shtetit, përmes kompanisë BREÇANI R.O.S.P., në emrin e vëllait.

    Ish nëndrejtori i Policisë së Shtetit Erzen Breçani u arrestua me urdhër të SPAK-ut mbrëmjen e së hënës si pjesë e një grupi kriminal, i cili akuzohet për veprat penale: Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, prodhimi dhe shitja e narkotikeve, trafikimi i narkotikëve, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal so dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.

    Kompania e sigurisë fizike BREÇANI R.O.S.P., themeluar në prill 2005, ka si administrator dhe pronar Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit.

    Për shkak të lidhjeve politike dhe klienteliste, ka dyshime të forta se pronari real i kompanisë është Erzen Breçani, ndërsa i vëllai pronar në letra dhe maskë e tij.

    Nga viti 2013 deri më sot, kompania e Breçanit ka marrë mbi 40 milionë euro para publike, përmes tenderave, kryesisht në bashkëpunim me Safet Gjicin.

    Por, miliiona euro Breçani i ka marrë në forta të tjera. Përmes kompanisë BREÇANI R.O.S.P., Erzen Breçani kontrollon dhe ka në pronësi HEC Drita Energy, mbi lumin e Gashit, dega e lumit Valbonë.

    Hidrocentralin e ka ndërtuar në vitin 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Administrator i hidrocentralit është Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit.

    Eralbi Breçani është kunati i Ervin Matës, i konsideruar si një nga bosët më të mëdhenj shqiptarë të kokainës.

    Që të dy janë shpallur në kërkim nga SPAK-u si pjesë e grupit kriminal, i cili dyshohet se drejtohej nga Ervin Mata.

    Dosja e SPAK tregon se paratë kokainës së Ervin Metës dhe Eralbi Breçanit janë investuar në hidrocentralin e Erzen Breçanit, me administrator pikërisht djalin e tij Eralbi Breçani.

    Vetëm në një rast palët flasin për t’i kaluar Erzen Breçanit 500 mijë euro përmes llogarisë së këngëtares Elvana Gjata. Nga ana tjetër, Erzen Breçani shfaqet si mentor dhe këshilltar i djalit të tij në trafikun e kokainës.

    Ndërkaqz, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, me vendim Nr. 9, datë 21 dhjetor 2021, i ka hapur rrugë shitjes së prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Drita Energy” tek OSHEE-s me negocim direkt pa garë nëpërmjet KESH-it, vlera vjetore e së cilës arrin në 6 milionë euro.

    Erzen Breçani është lejuar të zaptojë dhe 1.3 hektarë sipërfaqe park kombëtar, me tepër se harta e projektit të HEC-it, ku ishte bërë gati të ndërtonte një agro-resort.

    Paratë publike janë bashkuar me para kokaine, duke u investuar në pasuri të palujtshme. SPAK ka idetifikuar disa pasuri, produkt i aktivitetit kriminal, për të cilat ka kërkuar që të sekuestrohen.

    Me gjithë këto përfitime nga pushteti aktual nuk dihet nëse Erzen Breçani është penduar për thirrjen që bëri në korrik 2013, për të përmbysur Edi Ramën nga pushteti, dy javë pasi Berisha kishte humbur zgjedhjet.

    Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve, doktor Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistëve me në krye Edvin Ramën, ta largojmë këtë Enver të dytë. Ne që dikur studentë të ‘91 shembëm diktaturën enveriste, do gjejmë forcë dhe optimizëm, do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët,” shkruante Breçani.

    Por, edhe sikur Berisha të kishte qenë në pushtet gjatë 10 viteve të fundit, vështirë që kompania e Breçanit do të kishte përfituar kaq shumë para dhe pasuri publike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark