×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Esma rrëfehet për aventurën tek Istogu: Më pëlqen Kosova, e kemi merituar suksesin e sivjetmë

    Insajderi
    24 May 2022 - 09:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Esma Muratoviq ishte pjesë e rëndësishme e Istogut në këtë edicion, ku skuadra dukagjinase fitoi dy trofetë e hendbollit kosovar, atë të kampionit dhe Kupën e Kosovës.

    Hendbollistja malazeze ka pasur paraqitje të jashtëzakonshme në Final Four të kupës, që u zhvillua në Ferizaj.

    Istogu fillimisht kaloi Prishtinën, teksa në finale e mposhti Ferizajn.

    26-vjeçarja e lindur në Podgoricë është pjesë e Istogut nga edicioni 2019/20 duke qenë ndër lojtaret më të mira në klub, por edhe në hendbollin kosovar.

    Në një bisedë me FrontOnline, reprezentuesja e Malit të Zi në hendboll u shpreh mjaft krenari me arritjet e skuadrës së saj.

    “Jam shumë krenare për skuadrën time dhe e lumtur për atë që kemi fituar këtë edicion. E kemi merituar këtë. Kemi pasur shumë probleme me lëndime por ishim të fuqishëm për t’ia dalur”, u shpreh fillimisht Muratovic.

    Ajo u shpall edhe më e mira e këtij edicioni në hendbollin kosovar, teksa thotë se kjo i jep motiv për të punuar më shumë.

    “Kam punuar shumë këtë edicion dhe ka pasur shumë sakrifica. Jam e lumtur me lojën time dhe dua të kem progres edhe më shumë. Kjo më jep motivim të vazhdoj tutje drejt sukseseve më të mëdha në karrierë, natyrisht falë skuadrës sime dhe vajzave pa të cilat nuk do ta bëja këtë”, tregoi Esma duke vazhduar:

    “Mendoj se këtë vit liga ishte më e fortë në Kosovë dhe ndeshjet ishin interesante. Ka pasur shumë të huaja, por edhe lojtare vendase që janë përmirësuar”.

    E pyetur nëse para Malit të Zi kishte ftesë edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës, Muratoviq tha:

    “Do ta mbaj për vete këtë”.

    Për fund, hendbollistja tregoi edhe për jetën në Kosovë, derisa e vlerëson lart mbështetjen për Istogun.

    “Më pëlqen Kosova. Në Istog, ndihem sikurse në shtëpi. Kam luajtur me gjithë zemër për këtë qytet dhe ndjej se njerëzit më duan shumë dhe më respektojnë dhe kjo është ajo që ka rëndësi dhe që mbetet”, përfundoi të martën për FrontOnline Esma Muratoviq.

    May be an image of 1 person and standing

    Ndryshe, para Istogut, Esma është aktivizuar në Izrael te Maccabi Arazim Ramat, në Turqi tek Ardesen, Kastamonu Belediyesi, në Portugali te Madeira Andebol dhe në Mal të Zi te Danilovgrad.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark