×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    EULEX kërkon që serbët të rikthehen në institucionet e Kosovës

    Insajderi
    31 December 2022 - 12:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të vendit dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale.

    Por, EULEX ka thënë se vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet në veri mund të plotësohet vetëm pjesërisht nga ky mision, duke shtuar se nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit.

    EULEX ka bërë thirrje që palët të kthehen në marrëveshjet përkatëse të dialogut që e rregullojnë integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, duke e konsideruar si esenciale këtë çështje.

    “Megjithatë, vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës vazhdon. EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të Dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, thuhet se brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj. 

    EULEX-i ka thënë se do t’i monitorojë nga afër hetimet përkatëse dhe çdo procedurë ligjore të mëvonshme për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut.

    “Në këtë aspekt dhe që gjyqësori dhe policia e Kosovës ta mbështesin sundimin e ligjit dhe t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të pavarur sipas ligjit të Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare pa ndërhyrje apo frikësime politike apo të formave të tjera, është me rëndësi jetike që vendimet që merren nga gjyqtarë dhe prokurorë individualë, si dhe nga policia, në emër të institucioneve të tyre të kundërshtohen vetëm në aspektin e bazës së meritave ligjore të këtyre vendimeve”, thuhet në komunikatën e EULEX.

    Ndryshe, serbët në katër komunat veriore u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit të këtij viti, pas mosmarrëveshjeve të Kosovës e Serbisë për çështjen e targave. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar hapjen e një konkursi për t’i plotësuar këto pozita.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark