×
  • Lajme
  • Insajderi

    EULEX: Situata në veri mund të përshkallëzohet me shpejtësi

    Insajderi
    17 November 2022 - 15:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ditë më parë, shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark vizitoi veriun e Kosovës. Wigemark u takua me udhëheqës politikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe stafin e EULEX-it.

    Përmes një postimi në Twitter, shefi i EULEX-it deklaroi se situata e sigurisë në veri është shumë e brishtë dhe se qytetarët lokal janë të frikësuar.

    Të pyetur se cili komunitet po ndihet i frikësuar, nga zyra e EULEX i kanë thënë Insajderit se bëhet fjalë për të gjitha komunitetet që jetojnë në veri të Kosovës.

    Sipas EULEX-it, situata në veri është shumë e brishtë, edhe pse aktualisht është e qetë mund të përshkallëzohet me shpejtësi.

    “Sa i përket pyetjes suaj se kush dhe pse janë të frikësuar qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës, është e qartë për të gjithë ne që punojmë çdo ditë në veri të Kosovës se situata e sigurisë atje është shumë e brishtë. Situata aktualisht është e qetë, por ajo mund të përshkallëzohet me shpejtësi. Në veri të Kosovës ka një vakum sigurie pas dorëheqjes së shumicës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë shërbyer atje”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Insajderin.

    EULEX thekson se nuk ka mandat për t’i marrë përsipër detyrat policore nga Policia e Kosovës, dhe se mund ta plotësojë vetëm pjesërisht këtë vakum.

    “Ne i kemi shtuar dukshëm patrullimet tona vëzhguese në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, si dhe po mundohemi që ta qetësojmë popullatën lokale përmes pranisë sonë dukshëm të shtuar në veri të Kosovës. Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët nga të gjitha komunitetet të mbeten të sigurt dhe të ndjehen të sigurt”.

    Situata në veri është tensionuar pas vendimit të qeverisë Kurti për mos shtyrjen e afatit për konvertimin e targave. Serbët kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet kosovare.

    Nëse qeveria Kurti nuk ndryshon qëndrim rreth vendimit për targa, serbët kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës nëse gjobitet dikush për mos konvertim të tabelave. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark