×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Evropa Lindore, në fushatë kundër “standardeve të dyfishta” në industrinë ushqimore

    Insajderi
    13 August 2017 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rumania u bashkua me disa vende të Evropës Lindore, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të trajtojë me prioritet përdorimin e “standardeve të dyfishta” nga zinxhirët ushqimorë globalë, për të shitur prodhime me cilësi të ulët në Evropën Lindore.

    “Ne duhet të dimë se cilat kompani na trajtojnë si shtetas të dorës së dytë”, tha Kryeministri rumun, Mihai Tudose, në mbledhjen e kabinetit. Asnjë nga kompanitë në fjalë nuk janë ligjërisht përgjegjëse për këtë praktikë, duke qenë se standardet e dyfishta janë të ligjshme në BE, përderisa përbërësit janë të sigurt dhe janë të listuara në etiketat përkatëse të produkteve.

    Por disa shtete të Evropës Lindore, duke përfshirë Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë, Bullgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë, akuzojnë zinxhirët globalë të ushqimit për përdorimin e kësaj metode për të shitur prodhime të një cilësie të ulët në vendet e tyre. Ata duan që Komisioni Evropian të japë zgjidhje të cilat të ndryshojnë mbrojtjen e konsumatorëve të bllokut dhe ligjet e sigurisë ushqimore.

    Kompanitë e mëdha të ushqimit kanë pranuar se është e zakonshme që të përdoren përbërës të ndryshëm për produkte me të njëjtin emër në vende të ndryshme, por këmbëngulin që produktet e tyre të ndryshojnë për t’iu përshtatur shijeve lokale, sesa për të ulur kostot.

    Ministri rumun i Bujqësisë, Petre Daea, u shpreh se sipas një studimi të kryer së fundmi, nga 29 produkte ushqimore të shitura në Holandë, Gjermani dhe Belgjikë, “nëntë prej tyre ishin të ndryshme në Rumani, pra ndryshonin nga produktet e shitura në Perëndim”.

    Studimi, i cili u krye nga një agjenci shtetërore shëndetësore, tregoi përmbajtje të ndryshme të kalorive në disa lloje të konservave të peshkut apo dhe produkteve të mishit të derrit. Ekspertët theksojnë se asnjë nga nëntë produktet nuk ishin të përshtatshme për konsum, por vënë në dukje mungesën e korrelacionit mes etiketave në Evropën Perëndimore dhe atë Lindore.

    “Ne do t’i kërkojmë Komisionit Evropian që të përshpejtojë procedurat rregullatore dhe të krijojë instrumente që mund të vlerësojnë standarde të tilla të dyfishta në çdo kohë dhe kudo”, u shpreh z. Daea.

    Përveç Rumanisë, Bullgaria dhe Kroacia kanë njoftuar se do të përdorin teste të ndryshme për të përcaktuar nëse produktet e shitura në tregjet e tyre ndryshojnë nga ato të shitura në vendet e Evropës Perëndimore.

    Bullgaria, e cila ishte ndër vendet e para lindore që nisi vënien në praktikë të testeve të tilla, deklaroi në fund të qershorit se ekspertët gjetën përbërës të ndryshëm ushqimorë për produkte të së njëjtës markë të shitura në vendet lindore në krahasim me ato perëndimore, si në Gjermani apo në Austri.

    Qeveria bullgare tha se do të nxisë Bashkimin Evropian që t’i japë rëndësinë që i takon kësaj çështjeje.

    Ministri bullgar i Bujqësisë, Rumen Porozhanov, tha se analizat laboratorike kishin gjetur përbërës të ndryshëm në shtatë nga 31 artikuj identikë të shitur në Bullgari.

    Ekspertët zbuluan se 16 prej këtyre produkteve ishin shitur me çmime më të larta në shtetin më të varfër të Bashkimit Evropian, tha më tej ai.

    Kjo gjë sigurisht që shkakton një gjendje ankthi. “Standardet e dyfishta janë tashmë një fakt”. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, që përfaqëson katër vendet e Vishegradit, që përfshijnë edhe Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë, ishte të enjten e kaluar në Bruksel për të folur me kreun e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, pikërisht për çështjen e “standardeve të dyfishta”.

    “Kjo që do të them mund të duket qesharake për disa, por për shtetet anëtare që më kanë porositur të flas edhe në emrin e tyre, ky është një problem i rëndësishëm politik”, tha ai të enjten pas takimit me z. Juncker. Ai u shpreh se e vlerësonte faktin se Juncker, e pranoi se një problem i tillë ekzistonte.

    1. Juncker tha pas takimit se ai i konsideronte “standardet e dyfishta” një problem të rëndësishëm. “Mua nuk më pëlqen ideja e qytetarëve të dorës së dytë në Evropë dhe ne si Komision po punojmë fort në këtë drejtim”, vijoi ai.

    Megjithatë, hartimi i një legjislacioni të ri për të plotësuar edhe ankesat e anëtarëve të BE-së në Lindje, kërkon kohën e vet, që mund të jetë e gjatë.

    Për momentin, Komisioni Evropian njoftoi vetëm se në shtatorin e këtij viti, ai do të nxjerrë udhëzime për të përmirësuar testet e produkteve ushqimore, në mënyrë që shtetet anëtare të diskutojnë në lidhje me një çështje të tillë në një “bazë të shëndoshë dhe shkencore”, tha të martën zëdhënësi i Komisionit, Christian Wigand.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark