Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala, është takuar me Imer Deliun, të cilit iu vranë të gjithë anëtarët e familjes në masakrën e Abrisë, shkruan Insajderi.
Ferati u shpreh se përkundër krimit makabër, Imer Deliu nuk u dha, as nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai vazhdoi luftën edhe më i vendosur, bashkë me shumë trima të tjerë nga Abria heroike.
Shkrim i plotë i Shalës:
Me Imer Deliun – njeriun që është shëmbëlltyra e qëndresës, e luftës dhe shpresës.Kur Serbia gjakatare vrau dhe masakroi 23 anëtarë të Familjes Deliu në Abri të Drenicës, më 26 shtator të vitit 1998, Imer Deliu nuk u dha, as nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai vazhdoi luftën edhe më i vendosur, bashkë me shumë trima të tjerë nga Abria heroike. Vetëm zemra e Imer Deliut e di se si është të luftosh dhe të shpresosh në ato ditë dhe javë të ngrysura pas masakrës së Abrisë. Edhe pse iu vranë të gjithë anëtarët e familjes, Imeri nuk i vrau shpresat brenda shpirtit të tij, por bashkë me UÇK-në rilindi shpresa të reja, shpresa për jetë dhe për liri.Edhe sot, shëmbëlltyra qëndrestare e Imer Deliajt na jep forcë dhe shpresë për beteja të reja, që të kemi një jetë më të mirë, në Kosovën tonë që e kemi paguar shumë shtrenjtë.