Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një lëshim të madh në ndeshjen që Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi mbrëmë ndaj ish kampionit të Botës, Spanjës, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar2022”, shkruan Insporti.
FFK-ja e ka harruar familjen e ish-presidentit historik, Fadil Vokrri, duke mos e ftuar që ta shikojë nga afër ndeshjen me Spanjën.
Insporti ka kontaktuar me Gramoz Vokrrin, djalin e Fadil Vokrrit, i cili ka deklaruar se nuk kanë pranuar thirrje apo ftesë nga FFK-ja për këtë ndeshje.
“Është e vërtetë se nuk kemi pasur as ftesë dhe as biletë, por më e rëndësishme është që futbolli të ecë përpara. Kryesorja është përfaqësuesja”.
I pyetur se a është bërë kjo si shenj hakmarrje nga Agim Ademi, ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë informacion.
“Nuk kam informacion se këtu është në pyetje familja e jo unë si individ. Deri në këto ndeshje kemi pas bileta, por kësaj radhe jo”, ka deklaruar Vokrri për Insportin.
FFK-ja ka harruar familjen e personit që mban emrin e stadiumit, por jo edhe politikanët e miqt e tyre, të cilët gëzojnë privilegje në çdo ndeshje të Përfaqësueses.
Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, numri i tifozëve të lejuar në stadium ishte i vogël, ku shumica e biletave ishin ndarë për “Dardanët”, por edhe për instuticionet.
Megjithatë, Federata e Futbollit e Kosovës në këtë rast nuk ishte kujtuar t’i ndante bileta anëtarëve të familjes së legjendës së futbollit, ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, statuja e të cilit është vënë para stadiumit.
Kosova pësoi humbje nga Spanja me rezultat 0:2. /Insporti.com/