Federata e Futbollit të Kosovës është duke i vazhduar punimet në Kampi Nacional Edukativ në Hajvali. Ky kompleks për t’u përfunduar po ndihmohet edhe nga kompania “Tali SH.P.K”. Kamionët e kompanisë “Tali” janë parë duke kryer punë në kompleksin e Kampit Nacional Edukuativ, shkruan Insporti.com.
Gazeta online “Insporti” ka siguruar një fotografi ekskluzive në të cilën shihet një nga kamionët e kompanisë “Tali SH.P.K”.
Pronar i kompanisë “Tali” është Florim Zuka, njëkohësisht edhe pronari i klubit SC Gjilani.
“Insporti” ka kontaktuar me Florim Zukën për ta konfirmuar se kamionët e kompanisë që ai zotëron janë duke punuar në kompleksin e FFK-së dhe se a ka ndikuar roli i tij në futboll për të siguruar këtë projekt.
Zuka në prononcimin e dhënë për redaksinë e “Insportit” ka konfirmuar se kamionët e tij janë duke punuar në kompleksin e FFK-së.
“Po unë jam pronar i kompanisë Tali, dhe ne jemi nënkontraktor në punimet tek Qendra Stërvitore e Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali. Tenderin e ka fituar kompania Milenium SHPK, ne jemi nën kontraktor dhe kemi filluar punën qe dy tri ditë”
Në pyetjen nëse ka ndikuar fakti që Zuka është pronar i klubit SC Gjilani, në kontraktimin e këtij tenderi, ai ka mohuar gjithçka duke thënë se nëse do të kishte ndikuar ai do ta fitonte vetë tenderin.
“Jo nuk ka ndikuar asgjë, nëse do të kishte ndikuar, unë do ta fitoja vetë tenderin” – u shpreh ai.
Redaksia e “Insportit” ka dërguar pyetje në drejtim të FFK-së tash e disa ditë, por që nuk ka pranuar përgjigjje nga kjo e fundit.
Gazeta online “Insporti” ditë më parë ka publikuar raportin “Top Konfidencial” i shkruar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Në një ndër faqet e raportit, Salihu ka zbuluar një detaj interesant.
Në faqen IV(katër), Salihu përmend edhe kompleksin e Hajvalisë si dhe përfshirjen e një ish-ministri.
Sipas raportit ky kompleks është bërë pa buxhet të caktuar, pa paramasë dhe pa parallogari.
Po në këtë faqe, ai ka shkuar se përveç problemeve me drejtësinë, Ademi i ka premtuar shumëçka një kryetar klubi nga Gjilani.
Në këtë dokument nuk përmendet se për cilin klub bëhet fjalë, FC Drita apo SC Gjilani.
Ky raport është shkruar më 13 qershor të këtij viti.
Në Hajvali, FFK-ja ka ndërtuar Kampin Nacional Edukativ dhe selinë e re (zyret) të cilët ende nuk janë përfunduar.
Florim Zuka përveç futbollit dhe biznesit merret edhe me politikë. Ai është anëtar i partisë Nisma për Kosovën. /Insporti.com/