×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Fiks 1 mijë e 267 ditë zgjati “romanca” Kurti-Abazi, kjo ishte fotografia e “kurorëzimit” të tyre

    Insajderi
    16 February 2023 - 12:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në gusht të vitit 2019, kryeministri Albin Kurti njoftoi se ‘një vlerë e shtuar po i shtohej Lëvizjes Vetëvendosje”. E kishte fjalën për Haki Abazin, i cili atë periudhë njihej si analist.

    Kurti në postimin e tij me të cilin i kishte uruar mirëseardhje Abazit, e kishte ngritur këtë të fundit në piedestal.

    Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë“, kishte shkruar Kurti në vitin 2019.

    Me lëvdata pas aderimit e kishte nisur edhe vet deputeti Abazi.

    Madje, ai kishte saktësuar se “VV nuk ka bërë kompromise për hatër dhe për interes të individëve”.

    Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka lëshuar hapësirën publike për t’u vetëmbyllur në luksin e politikës, as nuk ka bërë kompromise për hatër dhe për interes të individëve por, ka ruajtur me kujdes rrugëtimin e saj të ndërtimit dhe evolucionit, duke u bërë boshti i mendimit politik, që prodhon dhe reflekton, dhe nuk e konsumon oksigjenin e paktë që ka mbetur në hapësirën politike shqiptare”, kishte shkruar ai pas aderimit në VV.

    Abazi nuk u ndal me kaq. “Romancën” me Kurtin e vazhdoi edhe më tutje. I dilte në krah shefit në çdo paraqitje televizive.

    “Hashim Thaçi dialogonte për interesa personale, Kurti për ato kombëtare”, kishte deklaruar ai dikur.

    Pas këtyre servilosjeve pësoi edhe shpërblimi. Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Kurti kishte vendosur që Abazin ta bënte numër dy të qeverisë.

    Kjo kishte qenë një befasi edhe për vet Abazin.

    “Më ka ftuar, kam ardhë prej Shqipërisë, jemi taku dhe më ka tregu për konfiguracionin e qeverisë së tij, bashkë me LDK. Pas krejt konfirmimit për emrat, më është ofru pozita e zëvendëskryeministrit. As nuk e kam pritë, as nuk e kam diskutu, ka qenë befasi, shumë befasi”, ishte shprehur ai.

    Krisja e raporteve Kurti-Abazi u konfirmua në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021. Pasi VV mori mandatin e plotë për të qeverisur, Kurti emëroi zv.kryeministër, Besnik Bislimin duke lënë Abazin anash.

    Abazi mori pozitën si deputet dhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.

    Pakënaqësitë e deputetit Abazi nisën muaj më parë.

    Deputeti i partisë në pushtet, kishte kritikuar ekzekutivin në disa fusha.

    Abazi u tregua kritik për Qeverinë edhe për mospasjen e një strategjie për çështjen e energjisë. Ai ishte shprehur se vazhdon e njëjta situatë sikur në vitet e kaluara kur në pushtet kanë qenë të tjerët. 

    Por, fiks 1 mijë e 267 ditë zgjati “romanca” Kurti-Abazi. Ky i fundit ditën e djeshme doli me deklarata kundër shefit të tij.

    Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, tha se urdhri për shkarkimin e tij është bërë nga kryeministri Albin Kurti dhe vendimi do të merret në Kuvendin e Kosovës.

    “Mendoj se çështja kryesore është se z.Kurti mendon se unë mund të hidhërohem shumë dhe do bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria. Por unë nuk kam votë kundër qeverisë Kurti dhe nuk do e bëj viktimë Kurtin”, ka deklaruar Abazi.

    Ndër të tjerash, Abazi ka kërkuar nga prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

    Gjatë një konference për media, Abazi kërkoi po ashtu që prokuroria duhet të marr në pyetje edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun si dhe Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj Bajrami. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark