×
  • Sport
  • Sport

    Fillon revolucioni te nënkampioni! Pesë lojtarë largohen nga Drita

    Insajderi
    01 June 2023 - 18:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sulmuesi Marko Simonovski dhe Almir Kryeziu e kanë dërguar në pesë numrin e largimeve nga skuadra e Dritës së Gjilanit që prej përfundimit të edicionit 2022/2023. Gazeta mëson se në ditët e ardhshme pritet të ketë edhe largime të tjera nga ky klub, kurse deri tash kontratën me nënkampionët e Kosovës e ka vazhduar vetëm mesfushori Rron Broja.  

    Skuadra e Dritës e humbi mundësinë që të shpallet kampione në Superligën e futbollit të Kosovës në javët e fundit, kur këtë sukses e rrëmbeu Ballkani nga Suhareka që për të dytën herë me radhë shpallet kampion.

    Presidenti i klubit gjilanas, Valon Murseli, kishte paralajmëruar “fshesën” pasi klubi i tij dështoi të shpallet kampion dhe duket se kjo “fshesë” po funksionon për mrekulli, pasi deri tash janë kompletuar pesë largime nga ky klub, përfshirë edhe kapitenin dhe ikonën e Dritës, Ardian Limani, ani pse ky i fundit ka thënë se vendimi për largim ishte i tij dhe jo i klubit. “Pas insistimit tim të vazhdueshëm te klubi kam arritur marrëveshje që të ndërpres bashkëpunimin me vullnetin tim të plotë. Për këtë gjë e falënderoj klubin pafundësisht për mirëkuptimin ndaj meje, në krye me presidentët e klubit, Valon Murseli e Flamur Bunjaku, si dhe stafin drejtues të klubit. Pas një sezoni dëshpërues dhe rezultateve jo të pritura të klubit, e kam parë të rrugës të ndërmarr një hap të tillë duke konsideruar se është koha e duhur që klubi të bëjë ndryshime. Ani pse klubi ka insistuar vazhdimisht që unë të vazhdoj t’i prij skuadrës drejt synimeve të veta, unë kam insistuar të kundërtën, duke lënë hapësirë për energjitë e reja”, ka thënë Limani.

    Përveç “Ardit”, ishin larguar edhe Hamdi Namani dhe Ilir Blakçori, derisa të enjten ka njoftuar edhe për largimin e topgolashënuesit Marko Simonovski.

    “Marko Simonovski dhe klubi ynë kanë mbyllur bashkëpunimin pas përfundimit të kontratës mes dy palëve. Simonovski erdhi te ne në sezonin 2021/22 dhe gjatë periudhës dyvjeçare arriti 70 paraqitje në të gjitha kompeticionet duke shënuar 32 gola dhe 6 asistime. Klubi ynë e falënderon Markon për kontributin e dhënë dhe i dëshiron shumë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e Dritës.

    Të enjten largimin nga skuadra nënkampione e ka bërë me dije edhe Almir Kryeziu, i cili për dy vjet e djersiti fanellën e Dritës. “Ju njoftoj që pas dy vjetësh te kaluara me FC Drita, i kam dhënë fund bashkëpunimit me këtë klub. Dua ta falënderoj klubin për bashkëpunimin, gjithashtu trajnerët dhe stafin e tyre, stafin mjekësor, ekonomët dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për klubin. Falënderim të veçantë për tifozët ‘Intelektualet’ që i kanë qëndruar pranë klubit në çdo kohë. Klubit i uroj suksese në arritjen e synimeve të veta”, ka thënë Kryeziu. Deri tash vetëm Rron Broja e ka vazhduar kontratën me skuadrën e Dritës nga Gjilani, kurse kësaj skuadre me shumë gjasa do t’i bashkohet edhe mbrojtësi Ahmet Haliti. /Epoka/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark