×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Fillon takimi mes Kurtit, Borrell e Lajçak

    Insajderi
    22 June 2023 - 15:35

    Ka filluar takimi bilateral i kryeministrit Albin Kurti me ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel, Josep Borrell, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

    Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

    Takimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

    Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.

    Kurti dhe Vuçiq e kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrelli.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

    “Biseda me Kurtin nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Adem Demaçin, pak për Karl Marx”, tha Vuçiq.

    Ndërsa Kurti një ditë më parë ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

    Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    01 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark