Në prill të këtij viti, drejtimi i klubit të futbollit Liria e Prizrenit i ishte besuar Rahman Kiqes.
Kiqe, i cili njihet si menaxher futbolli, veçanërisht me njohje të rëndësishme në futbollin turk, u shpall president dhe pronar i klubit Liria – duke dhënë shpresë për “ringjalljen” e klubit.
Megjithatë, u raportua se gjendja te klubi nuk ka ndryshuar edhe me ardhjen e kryesisë së re – por kjo po del të jetë ndryshe.
Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e Lirisë, Qemal Krasniqi, i cili ka rrëfyer gjendjen e klubit – duke bërë të ditur edhe shfirën e investimeve që janë bërë deri më tani.
“Nuk është e vërtetë që gjendja është me e keqe, atë e ka bërë një person që vetës i thotë legjendë e Lirisë, trajneri Skendër Shengyli mirëpo ai burrë ka fillu me u dashuru shumë në vetvete dhe mos me punu – kërkush nuk e mer kërkon me i dhanë rrogë e mos me punu – ai zotnia po do rrogë pa punu“
Madje, ai shtoi se të gjitha këto zëra kanë dalë nga ish- trajneri Skendër Shengyli, i cili sipas tij kur flet është nën ndikimin e alkoolit.
“Zotëria që e ka marrë klubin deri tani ka shpenzu rreth 90 mijë euro, ka dhënë pare të veta – dy paga i ka dhënë dhe shumë obligime të tjera brenda klubit. Skender Shëngyli po qarkullon fjalë të pavërteta por mosha edhe alkooli e bëjnë të vetën” – tha Qemal Krasniqi për Insajderin.
Tutje, Krasniqi shtoi se pagat e futbollistëve janë duke u dhënë dhe se për një javë do të dalë edhe ajo e muajit maj.
“Liria pagat deri tash i ka dhënë të muajit prill. Brenda një jave do ta dalin edhe pagat e muajit maj – ndërsa në qershor nuk paguhen” – tha Krasniqi për Insajderin.
Poashtu, Krasniqi shpjegoi edhe një herë se Kiqe është zyrtarisht pronar i klubit.
“Komisioni i dalë nga kuvendi i klubit Liria, në përbërje të 6 anëtarëve, zyrtarisht ia ka nënshkru dhënien e klubit Rrahman Kiqe, ia ka ushtruar të gjitha proceduarat, kanë qenë dy konkurentë, ky ka dhënë kushte më të mira – dhe komisioni ka vlerësu që Rahman Kiqe është fitues.
Ndryshe, Liria ka startuar sot me stërvitjet për edicionin e ri, teksa, kujtojmë se, Xhengis Rexhepi ka marrë drejtimin Lirisë për këtë sezon pasi klubi prizrenas nuk ia arriti të kthehej në Superligë.
/Insajderi.org