×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Forcohet Leku, fiton 8 pikë ndaj Dollarit

    Insajderi
    30 May 2017 - 23:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë vitit 2017, Leku i ka forcuar pozitat e tij ndaj Euros dhe Dollarit, por kundrejt monedhës amerikane, rritja e Lekut në tregun valutor shqiptar është gati 8 pikë.

    Më 10 prill, një dollar sipas Bankës së Shqipërisë këmbehej me një kurs mesatar prej 128.21 lekë, ndërsa në fund të majit, monedha amerikane ka zbritur në 120.27 lekë.

    Trendi rënës i Dollarit është vënë re edhe në tregjet ndërkombëtare kundrejt Euros, por lëvizjet nuk kanë qenë të mëdha.

    Profesori i Ekonomisë, Adrian Civici e lidh këtë zhvillim në vendin tonë me faktorë të tjerë, përveç atyre ndërkombëtarë.

    “Mendoj që rënia e kursit të Dollarit ka të bëjë edhe me një faktor tjetër, me largimin e biznesit shqiptar, të tregtisë që ne bëjmë, nga zonat e dollarit dhe nga përdorimi i Dollarit si monedhë. Kemi një përqindje shumë të lartë të pranisë së Euros në Shqipëri”, thotë Adrian Civici.

    Në këtë situatë nuk këshillohet pjesëmarrje aktive në kursin e këmbimit, sidomos në sasi të vogla, dhe të bëhet kujdes me kreditë, si për individë, ashtu edhe për biznese.

    “Shumicën e rasteve, meqenëse normat e interesit sidomos për Dollarin janë shumë të ulëta, një pjesë e njerëzve dhe bizneseve mendojnë se duke marrë kredi në Dollar mund të kenë përfitime, aq më tepër nga çmimi i lirë i Dollarit në treg sot. Por nëse të ardhurat dhe aktiviteti i tyre kryesor zhvillohet në Lekë, atëherë ata janë vazhdimisht të rrezikuar nga ndryshimet e kursit të këmbimit. Po aq sa mund të jetë i favorshëm sot, disa javë ose disa muaj më vonë ky kurs mund të bëhet i pafavorshëm”, thotë më tej Adrian Civici./TCH

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark