×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    FOTO | Zhdukja e 100 mijë eurove të Telekomit – Ky është biznesmeni që policia nuk po arrin ta kap as pas 2 muaj e gjysmë

    Insajderi
    24 May 2022 - 16:43

    Rinor Konjusha ende i lirë. Biznesmeni që përfitoi mbi 100 mijë euro nga Telekomi i Kosovës vazhdon të gëzoj lirinë. Ai nuk është gjetur as në vendbanimin e tij. Policia e ka kërkuar por nuk e ka hasur. I ka lënë ftesën që të paraqitete në polici. Por, ai është zhdukur. Gazeta Insajderi sjell detajet.

    I shumëkërkuari nga Policia e Kosovës, Rinor Konjusha, pronar i kompanisë së marketingut “Smart Marketing” me 9 mars ishte shpallur në kërkim nga policia, si i dyshuar për përfitimin e 100 mijë euro përmes një kontrate të nënshkruar me Telekomin e Kosovës.

    Dyshohet se kontrata u nënshkrua përmes rrugëve ilegale, e ndaj Konjushës e kompanisë së tij, Departamenti për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës ka nisur hetimet, shkruan Gazeta Insajderi.

    Policia e Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se ai ende nuk është kapur, ndonëse në shtëpinë e tij, policia i ka lënë ftesën për tu paraqitur për intervistim.

    “Lidhur me interesimin tuaj, u njoftojmë se rasti është duke u trajtuar nga drejtoria kompetente, i dyshuari është kërkuar në vendbanimin e tij, i është lënë ftesë, por nuk është hasur dhe nuk është intervistuar”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Insajderin.

    FOTO: Rinor Konjusha – Instagram

    Në mënyrë të jashtëligjshme, Rinor Konjusha dyshohet se bashkë edhe me katër punonjës të Telekomit, të cilët u arrestuan në muajin mars e tani ndodhen në arrest shtëpiak, kishin përfituar mbi 100 mijë euro përmes një kontrate për marketing me këtë ndërmarrje publike.

    Gazeta Insajderi, ka publikuar ekskluzivisht kontratën e plotë, pasi e ka siguruar nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike në Telekomin e Kosovës.

    Ekskluzive: Zhdukja e 100 mijë eurove në Telekom ndodhi në kohën e AAK-së, Insajderi sjell kontratën e dyshimtë

    Telekomi i Kosovës, e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, se kontrata është nënshkruar në muajin tetor të vitit 2018. Kjo kontratë siç mëson gazeta nuk ka shkuar përmes procesit të tenderimit. Departamenti për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, e ka cilësuar si kontratë që u dha në rrugë ilegale.

    Vlera e përgjithshme e kontratës misterioze ka qenë 212 mijë e 400 Euro për dy vite, ndërsa të arratisurit i është paguar shuma prej 106 mijë e 400 Euro.

    Sipas kontratës, marrëveshja është nënshkruar për t’i shfrytëzuar hapësira reklamuese dhe për vendosjen e adapterëve për mbushje të telefonave në pika të ndrushme në territorin e Kosovës.

    Në pikën 2.2 të kësaj kontrate thuhet se: Partneri mban charger( adaptera) për ri-mbushje të aparateve telefonik, me lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

    Po ashtu në pikën 2.3 thuhet se: Partneri i jep Telekomit në shfrytëzim hapësirë për reklama, kundrejt pagesës se dakorduar prej 180.000 euro ( për një vit)

    Përmes kësaj kontrate janë rregulluar edhe si duhet të shfaqen reklamat e Tekelomit. Në pikën 3.1 thuhet se:  Partneri duhet të shfaqë/printoj dhe vendos reklamat që ia jep Telekomi dhe pika 3.2 Reklamat i promovojnë produktet dhe shërbimet e Telekomit sipas kërkesës së saj.

    Kjo kontratë është nënshkruar nga ish U.D  kryeshefi ekzekutiv, Trim Musliu me datën 8.11.2018.

    Gazeta Insajderi raporton se kjo ka ndodhur në kohën kur në krye të ekzekutivit ka qenë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Në këtë periudhë kryesuese e bordit të Telekomit ka qenë Besa Shatri – Berisha gruaja e deputetit të AAK-së Bekë Berishës e cila u shkarkua nga Qeveria Kurti.

    Kush është Rinor Konjusha, i arratisuri nga policia?

    I dyshuari Rinor Konjusha, si një “biznesmen” nuk figuron në asnjë rrjet social dhe nuk dihet asgjë për të.

    Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, emri i tij figuron si pronar i kompanisë së marketingut “Smart Marketing”, biznes ky i regjistruar në muajin Shtator të vitin 2018. Vetëm një muaj para se të fitonte paratë nga Telekomi.

    Kompania “Smart Marketing”, përmes së cilës i dyshuari ka përfituar shumën 100 mijë euro nuk figuron si biznes aktiv. Në ARBK, ka të regjistruar vetëm një punëtor.  

    Gazeta Insajderi, ka provuar të kontaktoj edhe përmes numrit të telefonit që është shënuar tek të dhënat, por nuk ka qenë i qasshëm “Ky numër nuk ekziston”.

    Për përfitimin e këtyre mijëra eurove Rinor Konjushit, i janë dashur disa bashkëpunëtorë brenda Telekomit.

    Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht emrat e personave të arrestuar , të cilët janë Kushtrim Jakupi, Mimoza Pireva, Shkurte Shabani dhe Fatime Jashanica.

    Kush janë katër zyrtarët e arrestuar të Telekomit?

    Fatmire Jashanica e cila është punësuar në Telekom në vitin 2003, aktualisht ka pozitën e zyrtares për Monitorim – Departamenti i Marketingut.

    Mimoza Pireva e cila aktualisht punon si zyrtare për Marketing Mix – Departamenti i Marketingut është punësuar në Telekomin e Kosovës në vitin 2005.

    Kushtrim Jakupi është punësuar në Telekom në vitin 2010 dhe aktualisht ka pozitën si zyrtar i ri monitorues – Departamenti i Marketingut

    Dhe personi i katërt i arrestuar është Shkurta Shabani e cila punon si Zyrtare për Shitje – Departamenti i Shitjes që nga viti 2015.

    Çfarë thotë Telekomi i Kosovës lidhur me këto arrestime të zyrtaëve te saj?

    Lidhur me këto zhvillime brenda Telekomit, Fadil Fadil Lepaja, UD Drejtor për Relacione me Publikun ka thënë se Telekomi i Kosovës nuk e ka inicuar këtë hetim, ndërsa për arrestimet është mësuar pasi që kanë ndodhur ato.

    “Menaxhmenti aktual i TK është i përkushtuar që të vendosë ligjshmërinë në të gjitha proceset në kompani dhe të denoncojë të gjitha rastet e evidencuara dhe të dokumentuara të keqpërdorimeve, duke bërë apel që drejtësia të merret urgjentisht me to!”, ka thënë ai në një përgjigje për Insajderin.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark