×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Fotografitë me drejtorët rrisin dyshimet për përplasje mes Abdixhikut e Ramës

    Insajderi
    20 February 2024 - 21:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zënka mes Abdixhikut e Ramës tashmë është sekret publik në Prishtinë. Nuk e ka konfirmuar ende asnjëri, por nuk kanë mundur as ta demantojnë deri më tash.

    Nuk janë shfaqur kohë shumë të gjatë afër njëri-tjetrit në publik. Larg njëri-tjetrit kanë qëndruar edhe gjatë takimeve me drejtorët e rinj të Komunës së Prishtinës.

    Janë tri foto të kryetarit Lumir Abdixhiku me drejtorët e rinj, të emëruar nga Përparim Rama. Në asnjërën prej tyre nuk shfaqet kryetari i Prishtinës, Rama.

    Ne vend te tij, në foton e parë shihet vetëm zëvëndësi i tij Alban Zogaj.

    Në postimet e Abdixhikut në asnjë vend nuk përmendet fjalia e famshme e Ramës “Prishtina e Përjetimeve”. Por, edhe anën tjetër veprohet njejtë.

    Rama i ka postuar fotot nga takimi me drejtorët e rinj. Në asnjëren prej tyre nuk ceket “Rruga e Re”, e Abdixhikut.

    Abdixhiku ka uruar drejtorët me fotografi ku Rama nuk shihet askund.

    Sibel Halimi është emëruar Drejtoreshë e Kulturës në komunën e Prishtinës, ndërkohë që Arta Balaj është larguar nga kjo pozitë.

    E poashtu sot është emëruar nga Rama drejtoresha për Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës, Donjeta Dragusha. Ditë më parë Plator Gërdovci u lirua nga detyra e kësaj pozite.

    Kryetari Rama mori vendim ta shkarkonte drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun dhe nënkryetaren e Komunës, Donjeta Sahatçiu, që ishin nga radhët e PDK-së. Në vend të Sahatçiut, ka emëruar për nënkryetare të Komunës, zyrtaren e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

    Shkarkimet e fundit dhe emërimet e reja në Komunën e Prishtinës nga Përparim Rama, kanë nxitur debat në publik, duke i cilësuar këto veprime si hakmarrje ndaj partnerit të koalicionit, PDK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark